Deputetët e opozitës kanë kërkuar seancë dëgjimore me ministren e Mbrojtjes, Xhaçka, lidhur me emrin e Artur Meçollarit, i cili është propozuar si anëtar i grupit negociator në bisedimet me Greqinë.
Ata pritet ta dorëzojnë kërkesën në Kuvend, duke kërkuar hollësi për praktikën e ndjekur për propozimin e emrit të Meçollarit si negociator si dhe informacione lidhur me përjashtimin e tij nga Forcat e Armatosura.
Deputeti i PD-së, Paloka u shpreh se, opozita është shprehur e shqetësuar për përfshirjen e Meçollarit në grupin negociator, duke thënë se ‘opozita është e shqetësuar, pasi marrëveshjen e Detit me Greqinë po e negocion një spiun’.
DEBATI
Bushati: Ju mendoni që në një vend anëtar të NATO-s mund të mbash një pozicion pa pasur çertifikatë sigurie? Të mos merremi me individë, por me procesin. Meqë marrëveshjen për Apostilin e konsideroni pa vlerë se ju merreni me politikë të madhe, po kur të bëjmë marrëveshjen për patentat apo ligjin e luftës, çfarë do thoni?
Paloka: Ne jemi këtu, sepse i është lënë në dorë spiunëve marrëveshja e detit, e theksoj edhe njëherë, spiunëve. Prandaj ne jemi këtu. Prandaj i bëj thirrje mazhorancës të mos shohë minutat, por të na lërë të flasim, sepse është një çështje shumë e rëndësishme.
Bushati: Partnerët ndërkombëtarë kanë ardhur në zyrën time dhe të ministres së Mbrojtjes të alarmuar, pas shpifjeve të fundit. I bëj thirrje çdo deputeti që të tregohet i kujdesshëm, kur vjen puna për këtë proces.