“Marrëzia pa fund” e lojërave të fatit, mungojnë 375 milionë euro

Në krye të listët së institucioneve të audituara nga KLSH dhe që kanë shkaktuar dëme të rënda financiare qëndron Autoriteti i Mbikëqyres Financiare në aksionin e famshëm të shpallur nga Rama të quajtur “Fundi i Marrëzisë”.
Super aksioni i Ramës kishte si qëllim konfiskimin e të gjitha pajisjeve të lojërave të fatit që nuk ishin të regjistruara dhe nuk kishin dokumentet përkatëse. Aksioni nisi pas ardhjes së Ramës në pushtet dhe përfshiu gjithë pikat e paligjshme të basteve ashtu, si edhe ato të lojërave të fatit. Qindra objekte dhe subjekte u bllokuan e ndoqën penalisht, atë kohë raportet e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë flisnin për shifra si me normë për sekuestrot e vendosura në vetëm një ditë.
Por cili ka qenë rezultati i vërtetë i këtij operacioni? Përgjigjja më e mirë vjen nga shifrat zyrtare të nxjerra nga KLSH.
Raporti i fundit i auditimit i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) ka zbuluar se në fushën e lojërave të fatit është vendosur një rekord i ri dëmi. Plot 375 milionë euro apo 50,2 miliardë lekë është shifra e të ardhurave të munguara që sipas KLSH nuk janë mbledhur nga ana e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.
Periudha e audituar i përket aktivitetit në tri vite 2014-2016 të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare që përkon edhe me fillimin dhe fundin e aksionit “Fundi i Marrëzisë”, që synoi të sillte në shina aktivitetin e lojërave të fatit në vend. “Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën e përgjithshme 76,4 miliardë lekë, nga e cila Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, në vlerën 50,2 miliardë lekë si pasojë e mosushtrimit të kompetencave për kundravajtjet administrative për gjobat e pavendosura në kuadër të konfiskimeve të pajisjeve nga njësia e mbikëqyrjes financiare”, thuhet në raportin e KLSH.
Në raportin e tij, KLSH ndan dëmin e konstatuar në dy zëra. I pari është dëm i shkaktuar si rezultat i parregullsisë dhe shkeljeve financiare në të ardhurat dhe shpenzimet e kryera afërsisht 14.4 milionë euro dhe i dyti dëmi që vjen si rezultat i shkeljes së disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara në shumën 575.5 milionë euro. Në total për pjesën e parë të vitit u zhvilluan 107 auditime nga të cilat vetëm 54 janë përfunduar dhe evaduar, 16 ende të paevaduar dhe 40 në proces auditimi.
Shifrat në raportin e KLSH tregojnë një administratë të sunduar nga paligjshmëria dhe mungesa e eficencës, e pakontrolluar apo mbikëqyrur nga institucionet qeveritare. Doganat paraqiten si ndër institucionet më pak eficente dhe më shumë të korruptuara, krahasuar me institucionet e tjera. Pas doganave, renditen Zyra e Prokurimeve Publike dhe Drejtoria e Tatim Taksave.
Në total nga 104 auditime, ekspertët e KLSH kanë konstatuar shkelje financiare. Konkretisht dëmi më i madh është shkaktuar në sektorin e doganave me 800 milionë lekëve, ku shkeljet më të mëdha janë gjetur në Doganën e Durrësit, në fushën e prokurimeve publike, vlera e përgjithshme e dëmit kap shifrën e gati 300 milionëve, pjesa më e madhe e konstatuar në Bashkinë Sarandë, Tepelenë dhe Himarë.
Shkelje të tjera ligjore me dëm financiar në buxhetin e shtetit janë gjetur edhe në sektorin e tatim taksave dhe në fushën e shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore nga Ministria e Transporteve dhe ajo e Bujqësisë. KLSH ka zbuluar gjithashtu parregullsi dhe shkelje financiare me dëm ekonomik në të ardhura prej 74 milionë lekëve dhe 15 milionëve në shpenzime publike.
Auditimet në institucionet e administratës së vetë qeverisjes vendore e njësi të tjera në nivel vendor dhe auditimet në ministritë e institucionet qendrore zënë përqindjen më të lartë, konkretisht: Institucionet në nivel qendror zënë 18% të totalit të auditimeve; auditimet në institucionet e administratës së qeverisjes vendore e njësi të tjera në nivel vendor zënë 44% të totalit të auditimeve; në institucionet financiare dhe në shoqëritë me kapital të përbashkët shtetëror 16%; auditimet në drejtoritë e degët e tatimeve dhe doganave zënë 10%; auditimet në njësitë dhe projektet me financime të huaja 8%; auditimet në subjektet e mbrojtjes së mjedisit 4%.

Lojërat e Fatit, Rama ia dha me koncesion vëlla Olsit

Dështimi i AMLF-së merr rëndësi të veçantë po të rikujtojmë se në fillim të 2017-ës, qeveria Rama dha me koncesion ndërtimin dhe operimin e Sistemit Qendror të Monitorimit On-line të Lojërave të Fatit. Përmes një koncesioni abuziv, Edi Rama i ka dhënë vëllait të tij Olsi Rama marrjen nën kontroll të aktivitetit të lojërave të fatit, me qëllim pastrimin e parave të pista. Në kundërshtim me të gjitha procedurat ligjore, koncesioni i është dhënë kompanisë, Mc Networking, e cila zyrtarisht figuron në pronësi të ortakut të Olsi Ramës, Endri Meksi. Me këtë të fundit, Olsi Rama është bashkortak në kompaninë Pegasus Communication.

Doganat, 6 milionë euro dëm ekonomik

Në sektorin e doganave, në vlerën e përgjithshme prej 798 898 milionë lekësh, konstatuar në institucionet:
Dega e Doganës Berat, në vlerën 108,570 milionë lekë nga të cilat, 13,616 milionë lekë si pasojë e nxjerrjes së vendimeve administrative jo në përputhje me Kodin Doganor;
56,538 milionë lekë veprime të kryera jo në përputhje me rregullat bazë të nomeklaturës së harmonizuar të mallrave;
18,291 milionë lekë veprime që kanë sjellë pasoja në keqadministrimin e regjimeve të përpunimit aktiv, shkelje të afateve të mbylljes së autorizimeve me veprimtarinë e përfaqësuesve doganorë për periudhën e juridiksionit të auditimit.
Dega e Doganës Elbasan, në vlerën 42,217 milionë lekë; nga të cilat 33, 996 milionë lekë si pasojë e klasifikimeve tarifore jo në përputhje me rregullat bazë të Nomenklaturës së Harmonizuar të mallrave, 1, 925 milionë lekë si pasojë e mosnxjerrjes së sanksioneve doganore për akcizën, 2.5 milionë lekë si pasojë e keqadministrimit të regjimeve të përpunimit aktiv në shkeljen e afateve të mbylljes së autorizimeve doganore.
Dega e Doganës Durrës në vlerën 648,111 milionë lekë si pasojë e shqyrtimit jo si duhet të vlerës doganore të mallrave dhe transportit, si dhe jo konfiskim të mallrave për sasi, të cilat kanë rezultuar tepër gjatë verifikimit të sasisë së deklaruar.

2.1 milionë euro tek Prokurimet Publike

– Procedurat e parregullta të prokurimit publik dhe mungesa e mbikëqyrjes ndaj këtij institucioni, kanë shkaktuar një dëm prej 2,1 milionë eurosh;

1.8 milionë euro të pambledhura nga tatim taksat

– Dështimi i mbledhjes së tatim taksave nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave ka shkaktuar një dëm prej 1,8 milionë eurosh;
540 mijë euro nga shkarkimet e padrejta nga detyra
– Shpërblimi i nëpunësve civilë të shkarkuar nga detyra ka sjellë një dëm prej 540 mijë eurosh.

Artikulli paraprakBerisha: Këshilltari i Bashkisë, i dënuar për prostitucion, si mik i Arben Çukos
Artikulli tjetërRritja e papunësisë në Shqipëri nuk ndalet