Marrëzia që po u merr miliona euro taksa pa të drejtë profesionistëve të lirë

Klodian Tomorri

Ekonomistët debatojnë prej shekujsh tashmë se cili është regjimi më i mirë tatimor për ekonominë dhe zhvillimin e shoqërisë. Ata në të djathtë të spektrit politik promovojnë modelin e taksave të ulëta dhe qeverive të vogla si ambientin më miqësor të rritjes ekonomike dhe progresit social. Të tjerët në të majtë mbështesin një sistem, i cili takson më shumë për të financuar shërbimet publike dhe zbutur pabarazinë natyrale që krijon tregu.

Megjithatë të gjitha krahët bien dakord në një pikë. Regjimi më i keq fiskal është ai që merr para nga xhepat e qytetarëve dhe nuk i rikthen në ekonomi. Kjo është ajo që po bën qeveria shqiptare me taksimin e profesioneve të lira.

Kur miratoi ligjin për tatimin mbi të ardhurat në fund të vitit të kaluar, qeveria qe e vetëdijshme se barra fiskale që po hidhte mbi profesionet e lira ishte e rëndë. Kjo pasi për shkak të natyrës së tyre specifike, profesionet e lira nuk kanë shpenzime. Rrjedhimisht i gjithë qarkullimi që ata faturojnë shkon si bazë e taksueshme.

Për të korrigjuar këtë anomali, në ligj u përcaktua një regjim i veçantë, i cili u jepte profesionistëve të lirë mundësinë e njohjes apriori të shpenzimeve deri në 30 për qind të xhiro. Por edhe pse neni është në ligj ai nuk po zbatohet. Dikush në ministrinë e Financave ose në administratën Tatimore ka vendosur, që profesionet e lira duhet ta paguajnë tatimin mbi xhiron e plotë dhe më pas, në mars të vitit tjetër do të kenë mundësinë të bëjnë rakordimet për të zbritur 30 për qindëshin që njeh ligji.

Por çfarë efekti financiar ka kjo marrëzi?

Supozoni një biznes, i cili për vitin 2023 ka faturuar 8 milionë lekë të ardhura dhe ka patur 700 mijë lekë shpenzime si pagë, taksë pune dhe taksa lokale. Për shkak se fitimi i këtij profesionisti të lirë vitin e kaluar ka rezultuar 7.3 milionë lekë, tatimet kanë përllogaritur se për vitin 2024 ai duhet të parapaguajë 1 milionë e 95 mijë lekë tatim mbi të ardhurat (7.3 milionë*15%).

Por si do të ndryshonin llogaritë nëse tatimet do të njihnin shpenzimet apriori siç parashikohet në ligj. Tek i njëjti biznes nga shifra e qarkullimit do të zbritej automatikisht 30 për qind ose 2.4 milionë lekë (8 milionë*30%) si shpenzime të zbritshme. Rrjedhimisht të ardhurat e taksueshme të këtij biznesi do të ishin 5.6 milionë lekë, ndërsa tatim fitimi i parapaguar për këtë vit do të rezultonte 840 mijë lekë.

Pra këtij biznesi Tatimet po i marrin padrejtësisht 255 mijë lekë taksë këtë vit duke premtuar se do ja kthejnë në mars të vitit tjetër kur të bëhen rakordimet mes tatim fitimit të parapaguar dhe atij faktik që rezulton sipas xhiros. Potencialisht sipas llogaritjeve të vet qeverisë, shuma që u merret padrejtësisht profesionistëve të lirë duke mos u njohur 30 për qindëshin e zbritshëm të xhiros siç parashikohet në ligj, mund të shkojë deri në 9 milionë euro.

Absurd më të madh nuk mund të ketë. Një qeveri fut dorën në xhepin e qytetarëve, u merr atyre para më shumë se duhet të paguajnë vetëm për t’ja kthyer mbrapsht pas një viti. Ky është shembulli klasik i politikës fiskale shkatërruese. Sepse duke u marrë para arbitrarisht qytetarëve qeveria dëmton drejtëpërdrejtë konsumin në ekonomi, pa asnjë përfitim në krahun e tjetër. Vetëm e vetëm se administrata Tatimore është e paaftë të zbatojë ligjin./kapitali.al

Exit mobile version