Protestat e udhëhequra nga Sali Berisha do të vijojnë edhe këtë javë të fundvitit 2023.
Pas protestave javën që lamë pas, një para Kuvendit në kohën kur në Komisionin e Mandateve po shqyrtohej kërkesa e SPAK për heqjen e imuntetit ndaj Sali Berishës dhe protesta tjetër ditën e enjte para Parlamentit kur u votua heqja e imunitetit të Berishës, do të kemi edhe një protestë që është paralajmëruar dhe më herët.
Ditën e mërkurë në orën 09:00 përpara Gjykatës së Lartë, Partia e Rithemelimit e udhëhequr nga Berisha do të mbledhë sërish mbështetësit.
Në këtë ditë, në Gjykatën e Lartë do të zhvillohet seanca vendimtare për vulën dhe logon e Partisë Demokratike.
Nën motot “O sot o kurrë” dhe “Opozita në aksion”, Rithemelimi fton të gjithë qytetarët, jo vetëm demokratë të protestojnë përpara Gjykatës.
Sakaq, gjatë javës që vjen do të ketë edhe një zhvillim të rëndësishëm, pasi më datën 26 dhjetor GJKKO do të vendos masën e arrestit ndaj Berishës.
Pas aprovimit të Parlamentit, SPAK dërgoi kërkesën në GJKKO, e cila në seancën e së martës do vendosë masën për ish-kryeministrin, që me shumë mundësi të do jetë ajo e “Arrestit në shtëpi”.