Masa për gripin e shpendëve tek importi i pulave

Gripi i shpendëve është rikthyer në Europë dhe rreziku i saj ka bërë që Shqipëria të nisë të marrë masa të menjëhershme, duke ndaluar importin nga vendet më të prekura. Sipas njoftimit zyrtar nga Ministria e Bujqësisë, ky grip (H5N8) po rikthehet në Europë pas 10 vitesh.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë Shqipëria është e rrezikuar për shkak të shtegëtimit të shpendëve të egra drejt lagunave. Për këtë arsye ky institucion ka urdhëruar ndalimin e importit të shpendëve të gjallë nga vendet e prekura.
Ministria e Bujqësisë u bën thirrje fermerëve, të lajmërojnë Shërbimin Veteriner në rast konstatimi të shpendëve të ngordhur.
Në tetor 2016, autoritetet në Austri, Kroaci, Danimarkë, Gjermani, Hungari, Poloni, Rusi, Zvicër dhe Holandë kanë raportuar ngordhje në zogjtë e egër, për shkak të virusit H5N8 të influencës aviare.
Gripi i shpendëve është një sëmundje infektive që shkaktohet nga një virus zoonotik, që prek kafshët, shpendët dhe njeriun.
Në gjuhë teknike, gripi i shpendëve quhet influenca aviare.
Shpendët që preken nga influeca aviare dhe që përfundojnë me ngordhje janë pulat, gjelat e detit, pulat e indit, si dhe specie të tjera shpendësh, në veçanti shpendët migratorë të ujit.
Të dhënat që vërtetojnë faktin se shpendët migratorë të ujit, sidomos ato që migrojnë në drejtim gjatësor në globin tokësor dhe shpendët bregdetarë, në dete e liqene janë bartës dhe përhapës të virusit në tufa të pulave. Nëse virusi futet në tufën e pulave, ai përhapet me shpejtësi nga tufa në tufë nëpërmjet metodave të zakonshme të përhapjes, si nga lëvizja e zogjve të infektuar, pajisjet e infektuara, mjetet e transportit të ushqimit, mjetet e shërbimit, karkasa të shpendëve të ngordhur, etj.
Veterinerët thonë se duhet të bëhet dezinfektimi me gëlqere të pashuar i plehut dhe ambienteve ku rriten shpendët. Kujdes duhet të tregohet për higjienën personale, si larja më e shpeshtë e duarve me ujë dhe sapun, etj.

Exit mobile version