“Me urdhër të Gramoz Ruçit janë vrarë dhe ekzekutuar djemtë tanë. As në Luftën e Dytë botërore nuk është bërë një masakër si ajo e 2 prillit,’ është shprehur nëna e njërit prej viktimave të tragjedisë së 2 prillit, Besnik Cakës.
Në ceremoninë përkujtimore ndodhen edhe familjarët e viktimave të 2 prillit. Nëna e Besnik Cakës, njëri prej viktimave është shprehur se djalin e saj e vrau Gramoz Ruçi.
“Për ngjarjen e dy prillit gjithkush mund ta dijë sesi ka ndodhur, Shkodra atë ditë ka përjetuar një tmerr, as lufta e dytë botërore nuk ka ndodhur ashtu si e bëri Gramoz Ruçi këtu. Edi Rama nuk e do Shkodrën, se Shkodra është e para që i dha shkëndijën demokracisë. Djemtë tanë u vranë me snajper me urdhër të Gramoz Ruçit që ishte ministër i brendshëm. Shumë mirë e përmend 21 Janarin, pse nuk e përmend 2 Prillin. Unë kërkoj që Gramoz Ruçi të mos jetë më në Kuvend. Djemtë tanë ranë për një demokraci të pastër, jo për një Shqipëri të mbytur me drogë dhe me korrupsion. Unë jam e zhgënjyer sa herë e shoh në Kuvend, nuk dua t’ja shikoj surratin”, u shpreh Maja Caka.
Theksojmë se Gramoz Ruçi ka qenë ministër i Brendshëm në vitin 1991 dhe akuzohet se ka dhënë urdhërin për vrasjen e 4 djemëve të rinj.