Masakra e Lushnjës, autorët orientoheshin me radio-marrëse policie

Ekzekutimi i tipit mafioz në qendër të qytetit dhe shumë pranë Komisariatit të Policisë Lushnjë të Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, ka krijuar dyshime se tre atentatorët mund të janë ndihmuar ose favorizuar nga uniformat blu, pasi këta të fundit nuk reaguan në kohë. Këto dyshime i ka ngritur grupi hetimor i çështjes dhe përforcohen edhe më shumë nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes. Dëshmitarët në vendngjarje, kishin shquar se atentatorët ishin Laert Haxhiu dhe Oreges Bilbili, ndërsa drejtuesi i automjeti tip “Mercedes Benz” që i largoi nga vendi i krimit vrasësit mbante në dorë një radio-marrës, si ato të policisë. Ky person vijon ende të mos jetë zbuluar nga forcat e policisë, por nuk përjashtohet mundësia e përfshirjes edhe shumë njerëzve të tjerë në atë ngjarje kriminale që tronditi të gjithë qytetin.
Ndërkohë, pak pas masakrës së Lushnjës e ndodhur më 11 tetor, autorët e kishin menduar mirë se si do t’i shpëtonin ndjekjes së policisë. Ata dogjën automjetin në rrugën Lushnjë-Berat, në vendin e quajtur ‘Çukas i Vjetër’, ndërsa u gjetën dhe tre armë zjarri.
Vrasësit jo rastësisht kishin zgjedhur atë pikë për të humbur gjurmë. Tre janë rrugët, sipas policisë, që mund të jenë larguar Laert Haxhiu e Orges Bilbili dhe miqtë e tyre; e para, që të dërgon drejt rrugës nacionale për te Ura Vajgurore e pastaj në qytetin e Beratit. E dyta nga fshati Toshkëz, drejt Krutjes së Poshtme e më pas humb ndjekja, pasi ka shumë degëzimë rrugësh. Pistë, e cila po monitorohet imtësisht nga uniformat blu është nga fshati Cërraga, rrugë që lidhet me zonën e Dumresë e më pas shkon në Belësh e përfundon në Cërrik.
Dy nga autorët e masakrës me dy të vrarë në Lushnjë janë ende në kërkim, por hetuesit kanë shumë enigma. Në një kohë që nuk është identifikuar autori i tretë, grupi hetimor nuk ka gjetur as pronarin e vërtetë të makinës tip “Benz” që u përdor në masakër dhe më pas u shkrumbua. Sipas Prokurorisë së Lushnjës, targa e automjetit të djegur që u gjet në afërsi të fshatit Çukaj, në një rrugë dytësore, nuk korrespondon me shasinë, ç’ka hedh dyshime se mund të jetë vendosur targë falco. Por në të njëjtën kohë numri i shasisë së “Benz”-it është tepër i dëmtuar.
Një orë pas ngjarjes së datës 11 tetor, policia zbuloi mjetin në flakë, kurse në brendësi të tij tre kallshnikovë. Që prej asaj dite, policia vazhdon kontrolle në gjithë territorin e vendit për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim; Laert Haxhiut dhe Orgest Bilbilit.
Prokuroria nuk konfirmon asnjë pistë të re, apo dëshmi që të çojë në identifikimin e autorit të tretë të ngjarjes. Ditën e shtunë në mbrëmje, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafa, bëri një vizitë të papritur në Komisariatin e Lushnjës dhe kërkoi zbardhjen urgjente të ngjarjes dhe arrestimin e autorëve.

Artikulli paraprakInterpol Tirana nuk di ku ndodhet Domart Konjari
Artikulli tjetërNjeriu i Ruçit mori peng dhe torturoi një të ri, policia nuk e arrestoi