Në Lagunën e Karavastasë po kryhet një masakër e vërtetë pas punimeve që kanë nisur prej disa ditësh. Denoncimi u bë para pak ditësh nga Shoqata PPNEA, ndërsa dje ka reaguar edhe kryetari i PD të Lushnjës, Myslim Murrizi. Në denoncimin publik, Shoqata PPNEA bëri të ditur se, në Parkun Kombëtar Divjakë, Karavasta po kryhet një ndërtim në kundërshtim me të gjitha ligjet. Po kush po ndërton në Lagunën e mbrojtur me ligj të veçantë?
Burime të shoqatës thanë se, pas projektit janë dy deputetë të mazhorancës, njëri i zonës dhe tjetri deputet i një zone të veriut të vendit, i cili ka djalin e xhaxhait pronar të Shtëpisë së Pushimit Divjakë. Sipas të njëjtave burime, deputeti i zonës ka kërcënuar edhe drejtuesit e Parkut, të cilët e kanë kundërshtuar fillimisht ndërtimin.
Shoqata PPNEA thotë se, këto ndërhyrje janë të paqarta dhe nuk janë bërë publike me projekte konkrete. Ajo publikoi disa foto në të cilat shihen makineri gërmuese të instaluara prej ditësh në lagunë dhe që po gërmojnë për të hapur një kanal që i shërben ndërtimit të një platforme.
Shoqata PPNEA, gjatë vizitës së radhës në Lagunën e Karavastasë për monitorimin e pelikanit kaçurel, ka vënë re një pamje aspak të zakontë për Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta. Në zonën pranë Kanalit të Vaut kryhen gërmime dhe konkretisht brenda në Lagunën e Karavastasë.
Zona më e rëndësishme ligatinore në Shqipëri, i vetmi vend folezimi për pelikanin kaçurrel po kërcënohet drejtpërdrejt nga ndërhyrje akoma të paqarta dhe të pabëra publike me projekte konkrete.
Me gjithë reagimin e Shoqatës PPNEA dhe të banorëve të zonës, disa makineri gërmuese janë instaluar prej ditësh brenda në lagunë dhe po gërmojnë për të hapur një kanal përgjatë gjithë gjatësisë së lagunës. Sipas burimeve, këto ndërhyrje po bëhen për ta kthyer kanalin të lundrueshëm për varka.
Sipas shoqatës, zona ku po kryhen punimet është rreptësisht e ndaluar të ketë ndërhyrje të tilla, pasi thyen të gjitha ligjet mjedisore si për zonat e mbrojtura, që në këtë rast ka statusin e Parkut Kombëtar apo dhe konventën ndërkombëtare Ramsar ku Laguna e Karavastasë si zonë qendrore e parkut mbrohet që prej vitit 1995 si një ligatinë me rëndësi botërore.
“Për më tepër, Laguna e Karavastasë është identifikuar si një Zonë Parësore e Biodiversitetit (Key Biodiversity Area), zonë Emerald dhe një biotop CORINE, klasifikime që theksojnë rëndësinë ndërkombëtare të kësaj zone për ruajtjen e diversitetit biologjik. Kërkojmë reagimin e autoriteteve përgjegjëse që të ndalojnë menjëherë këtë ndërhyrje me pasoja katastrofike në një zonë me rëndësi të madhe biologjike, jo vetëm në shkallë kombëtare, por dhe më gjerë”, deklaron Shoqata PPNEA.
Krim mjedisor në Lagunë për ca para më shumë për pushtetarët
Jamarbër Malltezi, drejtor i Departamentit të Mjedisit në PD, e ka cilësuar një krim mjedisor ndërtimin që po kryhet në Lagunën e Karavastasë. Në një postim në Facebook, Malltezi shkruan se, ajo që po ndodh në Divjakë-Karavasta sot është një tjetër krim mjedisor që ndodh ditën për diell për pak para më shumë për pushtat e shtetit. Malltezi ka publikuar edhe disa foto ku duket masakra që po kryhet në këtë lagunë.
“Shihni fotot që tregova para 6 muajsh sesi ky Park Kombëtar do të kthehet në një zonë banimi për një klient të Edvinit. E keqja ka zaptuar çdo qelizë të shoqërisë ndaj dhe shumë njerëz të mirë e ndjejnë veten të pafuqishëm ndaj kësaj zuzarie. Ndaj dhe në këtë bjerrje morale nuk ka reagim civil. Por përkundrazi pretendojnë të përfaqësojnë Shoqërinë Civile pikërisht shushunjat e parave të perëndimit dhe të pacipët që nuk e kanë problem që të gënjejnë, të zhvasin, të jenë në të njëjtën ditë zyrtare të PS/G99/Mjaft etj., dhe mos flasin asnjë fjalë për rritjen e biletës së autobuzit, për betonizimin e parqeve e këndeve të lojërave, për dhunimin e grave të pambrojtura, për dhunimin e ambjentalistëve nga banditë me pushtet”, shprehet Malltezi në reagimin e tij.
Malltezi shkruan më tej se, ky projekti është depozituar prej disa muajsh në qeveri, por ende mbahet i fshehtë. “A kemi ende ndonjë përgjigje për batërdinë që po kryhet në Karavasta nga ata institucione që vjelin paratë e taksapaguesve? A ka përgjigje Agjensia e Bregdetit? A ka përgjigje Agjensia e Zonave të Mbrojtura? A ka përgjigje Ministria e Mjedisit? A ka përgjigje Ministra e Zhvillimit urban që të tregojë nëse ka ndonjë plan të miratuar apo po shkoj një ekskavatorist me dy deputetë të bëjnë ca gërmime për qejf? Turp dhe trishtim!”, përfundon Malltezi.
Murrizi: Projekti i ndërtimit mbrohet edhe nga kryetari i PS
Kryetari i degës së PD, Lushnjë, Myslim Murrizi deklaroi se ky është një skandal i radhës që po bëhet me Karavastanë. Sipas tij, punimet po kryhen pa leje nga Ministria e Mjedisit si dhe pa asnjë lloj vendimi të Këshillit Bashkiak Divjakë. “Ashtu sikurse sheshi i Bashkisë për 5 vjet bëhet e ribëhet tre herë pa vendim këshilli vetëm për të vjedhur fondet dhe pa asnjë tabelë ku të bëhet publike shuma e akorduar firma fituese afati i fillimit dhe afati i pëerfundimit edhe kjo punë në Lagunën e Karavastasë bie erë, sepse është një investim i pa bërë publik pa transparence dhe jashte çdo kriteri te percaktuar me ligj per investimet nga taksat e taksapaguesve. Eshtë një mjet tip drage e një privati që ka marrë për 30 vjet me qera ish-Shtëpinë e Pushimit Divjakë që po kryen punime? A thua të jetë bamirësi?? Do të bëhet një urë për qëllime turistike, shprehen nën zë njerëz të afërt me bandën që vjedh pa limit pasurinë e këesaj lagune, pra mbi 1000 kuintal peshk prej 2 vitesh. Për cilët turistë?? Në këtë Lagunë të vetmit turistë janë pelikanët, të cilëve po ju prishet foleja për të rregulluar folenëe e peshkaqenëve të rilindjes”, shprehet kreu i PD Lushnjë.
Kryetari i PD Lushnjë thotë më tej se kreu i PS të fshatit Zharrnec del në mbrojtje të këtij projekti, sepse është emëruar si president i Organizatës së menaxhimit të Peshkut në Karavasta. “I bëhet mirë peshkimit, është shprehur sot gjatë protestës së ambjentalistëve një kryetar i PS të fshatit Zharrnec që ka dy vjet që e kanë vënë si president të OMP (organizatë e menaxhimit të peshkimit). Po të kujt peshku more?? Ka dy vjet që bilanci tatimor i kësaj kompanie “rilindase” del me zero fitim. Për vitin 2014-2015 kjo OMP e fameshme ka deklaruar që nuk ka kapur asnjë qefull ose levrek. Për vitin 2015-2016 ka deklaruar që ka realizuar 13 milionë lekë të vjetra fitim dhe po kaq janë shpenzimet, pra zero lekë tatime të derdhura në buxhetin e shtetit nga një pasuri kombëtare prej 4300 hektarësh. Pra dhe kjo ndërhyrje arbitrare bëhet për qëllime klienteliste të njerëzve që pasi ju dhanë Shtëpinë e Pushimit si qerasje kanë filluar t’i dorovisin dhe me tendera rrugësh siç është rruga Gradishtë-Spolatë.
R.POLISI