Bandat rivale që shkaktuan masakrën në Lushnjë janë fuqizuar vitin e kaluar nga kultivimi dhe trafiku i kanabisit drejt Italisë. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se, autorët kanë bashkëpunuar edhe me segmente në radhët e policisë lokale. Dy të akuzuarit nga policia si autorë të masakrës Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili, edhe pse ishin të shpallur në kërkim, lëvizin lirisht në qytet. Hetuesit ngrenë dyshime se, i akuzuari Orges Bilbili, edhe pse dënuar me 11 vjet burg vazhdonte të ishte i lirë, pasi ka patur mbështetje nga segmente të policisë. Edhe Laert Haxhiu është kapur para dy vitesh, duke trafikuar një sasi heroine. Kur e kapi policia tha “iku”, sepse mendoi se ishin ata të Aldo Bares.
Grupi hetimor i ngritur për ngjarjen e rëndë, nuk përjashtoi dyshimin se shënjestër e atentatit të ketë qenë Sajmo (Sajmir) Xhelili. Ky i fundit i shpëtoi mrekullisht atentatit, pasi reagoi në kohë dhe u largua me shpejtësi. Mësohet se ai u është bashkuar viktimave, Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, pak pasi ka ikur Xhulio Shkurti.
Burime nga hetimorët bënë të ditur se, Xhelili është një ndër dëshmitarët kyç të ngjarjes. Ai ka treguar se nuk ishin ulur në lokal, ndryshe nga sa u tha fillimisht. “Ne nuk ishim ulur në kafe. Po rrinim te një pemë në anë të rrugës. Xhulio sapo kishte ikur. Ne po bisedonim në këmbë kur një makinë ndaloi rreth 20 metra më larg dhe që atje doli një person me maskë të zezë në kokë, në duar mbante një armë automatike. Kur u afrua nja 6 a 7 metra, unë u largova me vrap pas ndërtesave. Të tjerët nuk mundën. Autori hapi zjarr dy herë me breshëri kallashnikovi, pastaj u fut në makinë dhe u larguan”, mësohet të ketë thënë në polici, Sajmir Xhelili.
Sipas të dhënave të Policisë, janë sekuestruar kamerat e disa bizneseve nga ku po hetohet dinamika. Ata që kanë qëlluar me armë kanë qenë Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili. Ndërsa një person tjetër i tretë ka shërbyer si drejtues i mjetit, që më pas u gjet i djegur në aksin Lushnjë-Berat.
Hetimet e Prokurorisë
Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se, masakra e Lushnjës rezulton se ka qenë e menduar mirë nga dy atentatorët e dyshuar të ngjarjes, Laert Haxhiu dhe shoku i tij Orges Bilbili. Në këtë përfundim ka dalë grupi hetimor, pasi 10 minuta para se të ndodhte vrasja e dyfishtë dhe plagosja e dy personave të tjerë, viktimat ishin parë së bashku me disa persona të tjerë jashtë ambienteve të lokalit, duke qëndruar në këmbë. Bashkë me grupin ishte edhe Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, por pak momente para krimit, ky i fundit kishte lëvizur për të shkuar tek berberi. Dyshimet kryesore për Prokurorinë e Lushnjës janë se, dy atentatorët Haxhiun dhe Bilbilin dikush mund t’i ketë njoftuar për vendndodhjen e kundërshtarëve dhe praninë e tyre në kafenë në lagjen “Loni Dhamo”.
Sipas grupit të hetimit, Laert Haxhiu, fillimisht ka qëlluar në drejtim të tavolinës ku po qëndronin viktimat Latifi e Hoxha dhe i plagosuri Xhepaxhiu. Pasi i qëllon me breshëri automatiku dy të rinjtë, trupat e të cilëve u gjendën shumë pranë një automjeti tip “Fiat Punto” në pronësi të Xhulio Shkurtit, Haxhiu futet brenda lokalit. Ky ka qenë momenti ku shumë dëshmitarë okularë, kanë shquar autorin e dyshuar të kasaj masakre, si Laert Haxhiu. Por ngjarja nuk përfundoi me kaq. 25-vjeçari, duke menduar se brenda lokalit gjenden pjesëtarët e tjerë të grupit, nxiton drejt tij.
I dyshuari Laert Haxhiu së bashku me mikun e tij, Orges Bilbili kanë hyrë brenda lokalit, mesa duket me qëllimin për të vrarë Xhulio Shkurtin e Saimir Xhelilin. Në ato moment Zamir Latifi, i cili kishte mbetur i plagosur ka qëlluar me pistoletë në drejtim të atentatorëve, por pa rezultat. Me të dalë nga lokali, si kundëpërgjigje, mbi trupin e Zamir Latifit dy autorët derdhën 35 plumba pohojnë hetuesit. Dëshmitarët saktësojnë se ngjarja mund të kishte marrë të tjera përmasa, nëse nuk do të kishin mbaruar plumbat e automatikut të 25-vjeçarit Laert Haxhiu. Kamerat e sigurisë nuk kanë mundur të fiksojnë të gjithë ngjarjen, ndërsa krimi makabër ndodhi shumë pranë komisariatit të Policisë Lushnjë. Pas ngjarjes, atentatorët që mendohen të kenë qenë tre veta, dogjën automjetin në aksin Lushnjë-Berat.
Hetuesit janë në dilemë nëse viktimat Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi ishin shënjestra e atentatit, apo u qëlluan thjesht se shoqëroheshin me Xhulio Shkurtin dhe Sajmo Xhelilin, të cilët për herë të dytë u shpëtojnë plumbave.
Leart Haxhiu nga Prokuroria e Lushnjës është akuzuar për vrasjen e Gerti Salës, i njohur ndryshe si “iriqi” në vitin 2009. Prokuroria e Lushnjës këtë dosje ia delegoi Prokurorisë së Vlorës për shkak se autori ishte i mitur. Por Gjykata e Vlorës e ka dënuar Haxhiun vetëm me një vit burg për akuzën e vjedhjes, pasi nuk u provua akuza e vrasjes. Edhe në 2016, ai është dënuar me 1 vit e 6 muaj burg nga Gjykata e Durrësit për shitje të lëndëve narkotike. Edhe i shpalluri tjetër në kërkim, Orges Bilbili, është i dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 7 vite e 4 muaj burg në mungesë. Ai ka qenë një nga personat që ka paketuar drogën, e cila do ngarkohej në avionin e Xhorxho Riformatos, i cili u rrëzua në plazhin e Divjakës. Ai u zbulua nga shenjat e gishtave, të cilat u gjeten në pakot me drogë.
Hetuesit po kërkojnë atentatorin e tretë
Në masakrën e Lushnjës ka marrë pjesë dhe një atentator i tretë. Një dëshmitar okular nga vendi i ngjarjes rrëfeu dje për ‘News24’ momente nga krimi në qendër të Lushnjës. Dëshmitari pohoi se 3 prej tyre, pasi zbritën nga makina hapën zjarr me kallashnikovë në drejtim të djemve, ku lëshuan 41 plumba, duke lënë të vdekur Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën.
Hetuesit po kërkojnë cili është ky person, fytyrën e të cilit nuk e ka parë asnjë nga dëshmitarët e mbetur gjallë. Aktualisht në kërkim janë Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili. Burime nga grupi hetimor në Lushnjë, tregojnë se në pyetje është marrë dhe Julian Sula, një tjetër emër i njohur për policinë për vepra të ndryshme penale. Me Sulën, dy ditë pas ngjarjes ka shkuar në 34 persona numri i personave të marrë në pyetje. Ndër të parët ishte Xhulio Shkurti, nipi i ish-kapobandës së Lushnjës, Aldo Bare, Sajmo Xhelili dhe i plagosuri Marjo Xhepexhiu. Të tre dëshmitarët kanë pohuar se kishin identifikuar Laert Haxhiun kur gjuante me kallashnikov, por nuk e kishin njohur personin e tretë.
Një vit më parë autori i masakrës së Lushnjës kërcënoi nipin e Aldo Bares
“Nuk e ke të gjatë ti”… me këtë fjalë ka paralajmëruar masakrën e së mërkurës, pak më shumë se një vit më parë Laert Haxhiu. Premtimin për t’i marrë jetën ia kishte bërë nipit të Aldo Bares, Xhulio Shkurtit, pasi kishte qëlluar mbi të duke e lënë të plagosur.
ABC Neës ka siguruar një dokument ku 25-vjeçari Haxhiu akuzohet për plagosje të dyfishte të ndodhur në qendër të qytetit të Lushnjës dhe objektivi ishte i qartë, ekzekutimi i nipit të Aldo Bares, Xhulio Shkurti.
Pavarësisht se atentati kishte ndodhur një vit më parë, konkretisht më 25 shtator, Laert Haxhiu në arrati gjeti mundësinë dhe organizoi një masakër të dyfishtë përsëri në qendër të qytetit. Në deklaratën e dhënë para oficerëve të Policisë Gjyqësore, një pjesë të të cilës e disponon edhe ABC Neës i plagosuri, Shkurti, kishte deklaruar, se: “Në atë çast përballë meje në rrugë ka ndaluar një autoveturë e bardhë tip “Smart” me targa italiane dhe e drejtuar nga i pandehuri Laert Haxhiu. Ky i fundit kishte në dorë një psitoletë dhe qëlloi deri sa i mbaruan plumbat. Një nga plumbat më kapi në këmbën e majtë, ndërsa i plagosur tjetër mbeti edhe Sajmo Xhelili në pjesën e barkut. Pasi i kanë mbaruar fishekët e pistoletës Laert Haxhiu më tha: nuk e ke të gjatë ti…”
Pastaj, ka shtuar i plagosuri Xhulio Shkurti se atentatori u largua në drejtim të rrugës së gjimnazit “18 tetori”. Problemet me drejtësinë Haxhiu ka pasur edhe në vitin 2015, ku u prangos së bashku me disa persona të tjerë me rreth 1.2 kg heroinë në qytetin e Durrësit. Edhe atë herë, ai u dënua nga Gjykata për moskallzim krimi, ndërsa Prokuroria kishte kërkuar 8 vite heqje lirie. Leart Haxhiu ndërkohë rezulton person në kërkim, pasi është dënuar me 21 vjet heqje lirie për plagosjen e Xhulio Shkurtit dhe shokut të tij, Sajmo Xhelili.