Banditët e Ramës sulmojnë dhe masakrojnë me sende të forta një qytetar nga Rubiku i Mirditës pse shkoi në protestë tek Çadra e Lirisë para Kryeministrisë. Ngjarja ka ndodhur para tre ditësh, ndërsa policia nuk i ka ndaluar banditët. Bëhet e ditur se, persona të panjohur i kanë zënë pritë 62-vjeçarit Ndok Lesi, sapo ai kishte mbyllur dyqanin dhe po shkonte për në shtëpi. Pa i thënë asnjë fjalë, ata e kanë qëlluar me sende të forta në fytyrë dhe në të gjithë trupin, duke e lënë pa ndjenja në mes të rrugës. Lesi është dërguar menjëherë në spital nga djali i tij dhe bashkëshortja, ku edhe ndodhet aktualisht. Ka përfunduar në spital pas dhunës barbare vetëm pse kishte marrë pjesë në protestën e opozitës.
Dhuna ndaj 62-vjeçarit ka qenë e paralajmëruar, pasi ai ishte kërcënuar para pak ditësh nëpërmjet telefonit që të mbyllte menjëherë biznesin e tij dhe të mos shkojë në protestë në Tiranë.
Lesi bëri të ditur, se kishte bërë kallzim në polici për kërcënimet që i ishin bërë, por policia nuk ka marrë asnjë masë, ndërsa kërcënuesit kanë marrë zemër dhe e kanë dhunuar barbarisht. Në një prononcim për mediat, 62-vjeçari shprehet se, ka dyshime të forta se është dhunuar për motive politike, për faktin se ai ka qenë i pranishëm disa herë në protestën e opozitës në Tiranë. Ai shprehet se, banditët i kanë thënë të mbyllë dyqanin dhe të mos dalë nga shtëpia se do ta vrasin.
“Sapo kam mbyllur lokalin që e kam pranë rrugës dhe u nisa për të shkuar në shtëpi, më kanë goditur në kokë, duke më sulmuar me gurë. Kur kam parë që po sulmohesha, tentova të lëvizja me shpejtësi dhe të shkoja në shtëpi. Kam shkuar i gjakosur dhe pastaj rashë pa ndjenja nga goditjet. Më kanë marrë djali dhe gruaja, më kanë dërguar me urgjencë në spital. Atje erdhën mjekët dhe me mjekuan plagët. Më 18 shkurt, unë kam qenë në protestën e opozitës në Tiranë së bashku me djalin tim. Kam shkuar sërish te çadra edhe tri herë të tjera, kur ishte radha e Mirditës. Pas pjesëmarrjes në protestë, unë jam kërcënuar dhe sulmuar. Mendoj se ngjarja mund të ketë ndodhur për këtë arsye. Në datën 24 shkurt më ka marrë një numër anonim në telefon dhe më ka thënë: “Mbylle lokalin, mos dil nga banesa se do të vrasim!”, deklaroi për mediat Lesi.
Për këtë ngjarje të rëndë, ka reaguar edhe deputetja e PD të Mirditës, Albina Deda. Në një deklaratë publike, Deda i është drejtuar direkt kryeministrit Rama si urdhërues i atij sulmi. “Si deputete e Mirditës në Kuvendin e Shqipërisë jam e indinjuar thellësisht dhe shpreh protestën time ndaj një akti kriminal të ndodhur në Rrasfik të Rubikut mbrëmjen e ditës së premte.
Qytetari 62-vjeçar Ndok Lesi, njeri i nderuar dhe anëtar e aktivist i PD-së, është goditur nga banda të maskuara pranë banesës së tij, duke i shkaktuar plagë të rënda, e duke i rrezikuar seriozisht jetën”, shprehet deputetja Deda.
Më tej, deputetja e PD thotë se, Lesi është qytetar model dhe arsyeja e vetme e sulmit është aktiviteti dhe përkatësia e tij politike. “Ai është kërcënuar me jetë për të mos marrë pjesë në protestën në Sheshin e Lirisë, të cilën e ka frekuentuar rregullisht. Kjo dhunë e hordhive kriminale të njohura sistematikisht në raste fushatash elektorale nuk është akt i izoluar, por praktikë e zakonshme e Edi Ramës”, shprehet Deda.
Deputetja e PD i bën thirrje Edi Ramës që të bëjë kujdes se, nuk je Zoti të luash me jetën e qytetarëve. “Si deputete, demokrate e si mjeke i drejtohem sot publikisht me akuzë vetë Edi Ramës, këtij inspiruesi frekuent të terrorit politik banditesk: Bëj kujdes se nuk je Zoti të luash me jetën e qytetarëve! Të neveris ty dhe bandat e tua të droguara e të paguara dhe në rastin më të vogël do përgjigjesh! Demokratët e qytetarët e Mirditës ndër breza nuk i kanë nënshtruar pashallarë e diktatorë, e jo më një monstër paranojake si ju! Hiq dorë nga krimi e provokimi i qytetarëve, lidhi dhe shkëputu prej zagarëve të krimit ose priti vetë pasojat e padurimit!”, përfundon deputetja Albina Deda.
Dhuna dhe terrori ndaj protestuesve të opozitës dirigjohet nga vetë Rama. Para dy javësh, banditët e Ramës dhunuan në mes të qytetit dy motra në Fier pse morën pjesë në protestën e opozitës më 18 shkurt. Dy motrat binjake, Antoneta dhe Gladiola Hatillari kanë qenë duke ecur në bulevard, kur papritur dy persona dalin nga një lokal që ndodhet përballë shkollës “Industriale” dhe i kërcënojnë e shajnë pse shkuan në protestë në Tiranë. “Doni të rrëzoni Ramën ju? Pse shkuat në protestë në Tiranë”?, i është drejtuar njëri nga banditët dy motrave dhe i ka qëlluar me shkelma dhe grushta në mes të bulevardit. Policia ende nuk i ka arrestuar dy autorët edhe pse i njeh ata.
R.POLISI