Një plagosje me thikë ka ndodhur në qytetin e Durrësit. Një 34-vjeçare ka pësuar plagë të rënda pas goditjes me thikë nga një i ri 33-vjeçar. Mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:50, në lagjen Nr.17 të qytetit të Durrësit, pas një konflikti për motive të dobëta mes dy personave. 34-vjeçarja me inicialet S.V është dërguar me urgjencë në Spitalin e Durrësit, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Mësohet se dy të rinjtë kishin një lidhje dashurie mes tyre. Shkak për konfliktin mes tyre dyshohet të ketë qenë refuzimi i propozimit për martesë që 33-vjeçari i kishte bërë gruas me inicialet S.V. Pas sherrit, ai e ka goditur tre herë me thikë gruan, e cila mësohet se ishte e divorcuar me dy fëmijë, ndërsa autori ishte beqar.
Ndërkohë, policia bëri të ditur se është vënë në ndjekje të 33-vjeçarit M.S, banues në Durrës. Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së rrethit për veprime të mëtejshme për veprat penale “Vrasja me paramendim” e mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.