Kandidati për deputet i Koalicionit Euroatlantik, Gjergji Nika, ka reaguar në lidhje me deklaratën e kryeministrit Edi Rama që tha se nuk po ua heq ujin fshatit Tragjas. Në një reagim në facebook, Nika thotë se Rama përveçse nuk ka mbajtur premtimin për ujë 24 orë edhe në mandatin e tretë të tij, tani del dhe gënjen publikisht banorët e fshatit.
Sipas tij, kryeministri gënjen duke thënë se uji nuk do t’u hiqet tragjasiotëve për investitorët strategjik, pasi vendimi i kryetarit të bashkisë Vlorë e thotë qartë se uji do të merret për investimet strategjike në zonat Draleos-Drimadhes-Dhërmi.
Ai më tej thotë se një kryeministër që mashtron “sy më sy” duhet shkarkuar me votë më 11 maj.
Reagimi i plotë i Gjergji Nika:
Kryeministri i vendit po e mbyll mandatin e tretë me mashtrime, ashtu siç nisi të parin.
Premtimi për ujë të pijshëm 24 orë, nuk u mbajt kurrë, ndërsa atyre që ujin e kanë, ua heq për t’i shërbyer klientëve të tij, në kurriz të komunitetit të Tragjasit.
Sot deklaron se nuk po ua heq ujin tragjasiotëve, për t’ua dhënë investitorëve strategjik, por kjo gënjeshtër hidhet poshtë nga kryetari i bashkisë Vlorë, pasi në lejen e ndërtimit shkruhet e zeza mbi të bardhë: “FURNIZIM ME UJË TË ZONAVE BREGDETARE ZONAT E INVESTIMIT STRATEGJIK DRALEOS-DRIMADHES-DHËRMI.”
Një kryeministër që mashtron “sy më sy” duhet shkarkuar me votë më 11 maj.
Vlora meriton më shumë
Shqipëria meriton më shumë