Enver Bytyçi
Dje ministria e Ekonomisë, Energjitikës dhe Infrastrukturës, me ministër Damian Gjiknuri, njoftoi se ministri i ka bërë kompanisë koncensionare një letër, në të cilën i kërkon që taksa e Rrugës së Kombit për qytetarët e Kukësit, Hasit dhe Tropojës të jetë 1.5 euro në shkuarje e po kaq në kthim, pra 3 euro gjithsej. Të gjithë të tjerët do të paguajnë taksën e parashikuar në fillim prej 10 euro në të dy kalimet. Mjetet e transportit publik, thuhet në komunikatë, nuk do të paguajnë.
Duke marrë parasysh se qeveria dhe ministri përkatës zgjohen nga gjumi me një listë mashtrimesh të përditshme për gjithçka dhe çdo gjë, mashtrime që gjuha mediatike në vedin tonë të çuditshëm i përkthen si piar, si reklamë, atëherë m’u desh që të gjurmoj ku fshihet hileja e kësaj takse! Fillimisht thashë se nuk jam ekonomist dhe është vështirë të gjurmoj për të gjetur mashtrimin e radhës për taksën e Rrugës së Kombit. Por kur më ra ndërmend se financat tona i llogarit, i menaxhon, i planifikon dhe i shpenzon një mësues i anglishtes, thashë me vete, pse dhe unë të mos bëj ca llogari të vogla?!
Llogaritë shkojnë të gjitha në funksion të argumentit se prapa deklaratës së Gjiknurit fshihet një intrigë e një mashtrim tjetër i radhës. Lë të ndalemi në disa argumente.
1. Nëse ngrihet trau i taksës në Rrugën e Kombit qoftë dhe me 10 cent pagesë, atëherë legjitimohet taksimi i dy ose trefishtë i kësaj rruge.
Qeveria nuk ka problem masën e taksimit, ka problem krijimin e legjitimitetit për taksim. Me këtë deklaratë ajo e realizon qëllimin e saj final. Vendos një taksë për një rrugë të ndërtuar me taksat tona. Vendos një taksë të dytë mbi atë të taksës së qarkullimit e destinuar për mirëmbajtjen e rrugëve. Vendos një taksë në një aks rrugor, i cili i sjell vendit dhjetëfish të ardhura më shumë sesa i jep taksa e pastrimit të parave e paguar te Tuneli i Kalimashit. Vendos një taksë në një rrugë, e cila konsiderohet si aks strategjik kombëtar i shqiptarëve dhe si çdo investim strategjik nuk mund të jetë objekt në duart e një kompanie private.
2. Taksa 1.5 euro, ose tre euro për dy kalimet, pas gjashtë muajsh ose një viti do të dy ose trefishohet, sepse askush nuk do ta ndalojë qeverinë dhe ministrinë përkatëse ta bëjë këtë. Aq mq pak kompaninë koncensionare. Kontrata me koncensionarin e detyron atë që ky çmim të rritet me shpejtësi, sepse një kontratë e nënshkruar dhe ratifikuar ka fuqi ligjore dhe një ankimim i kompanisë koncensionare do t’ia japë asaj të drejtën për të zbatuar kushtet e kontratës. Fuqia ligjore e letrës së Gjiknurit është null. Nëse sot kjo kompani bie dakord për këtë çmim, kjo ndodh për shkak të protestës së kukësianëve dhe nevojës që qeveria ndjen për t’i mashtruar këta njerëz për momentin. Jam i sigurt se vetë Gjiknuri u ka thënë përfaqësuesve të kompanisë, “Pranoni për momentin, pastaj është në dorën tuaj të bëni çfarë të doni”!
3. Në deklaratë thuhet se mjetet e transportit publik do të përjashtohen nga taksa, e cila përballohet nga 120 mijë euro në vit, që kompania koncensionare është e detyruar t’ia japë bashkisë.
Po të ndahen këto për tri bashkitë, secilës i takojnë 40 mijë euro. Por asnjë dokument ligjor nuk i detyron këto bashki që këto para të shkojnë për transportin publik dhe nga ana tjetër, kompania koncensionare duhet të paguajë sipas të ardhurave deri në 120 mijë euro dhe jo saktësisht e taksativisht 120 mijë euro.
Eshtë fakultative kjo pagesë si në sasinë e saj ashtu dhe në përcaktimin e objektit të përdorimit. Nga ana tjetër transporti publik përfshin vetëm autobuzët, furgonët bëjnë pjesë te shërbimi i taksive, shërbim i cili nuk favorizohet. Nga Kukësi psh përfitojnë vetëm katër autobuzë në ditë, ose 120 udhëtime në muaj, që do të thotë 2500 euro në muaj ose 30 mijë euro në vit.
4. Në deklaratë thuhet se kompania do të humbasë nga ulja e taksës 900 mijë euro në vit, ndërkohë që është thënë më parë se nga taksa e rrugës së Kombit kompania çdo vit krijon diku te gjashtë milion euro të ardhura. Por nëse ajo humbet 900 mijë euro nga ulja e kaksës për mjetet e transportit të qarkut të Kukësit, atëherë me taksën 5 euro nga ky transport duhej të fitonte së paku 1.3 milion euro. Një llogari e thjeshtë e raportit të mjeteve të këtij qarku me mjetet nga pjesa tjetër e vendit dhe nga Kosova që qarkullon në atë rrugë është së paku 1:20. Kjo do të thotë se të ardhurat e kompanisë nuk janë gjashtë milion euro, siç na kanë thënë deri tani, por së paku 26 milion euro në vit, sepse 1.3 milion x 20 bëjnë 26 milionë.
Kjo llogari ka rëndësi të veçantë, sepse qeveria kur dëshiron të fshehë fitimet e kompanisë me të cilën bashkëpunon, i redukton të ardhurat së paku katër herë. Ndërsa kur llogarit humbjet e kompanisë vihet në dispozicion të shumëfishimit të këtyre humbjeve. Kështu ndodhi dhe propagandën, sipës së cilës kompania nga protesta humbi 7 milionë euro, të cilat do i paguante buxheti i shtetit, ndërkohë që humbjet nuk shkojnë sipas ekspertizës së pavarur as një milion euro.
Nisur nga këto të dhëna dhe argumente është shumë e qartë se qeveria shqiptare vijon edhe më tej të mashtrojë qytetarët e vet. Këtij mashtrimi duhet t’i japë fund dikush: Do të ishte mirë që qeveria të bëhej transparente dhe të fitonte besimin e qytetarëve, pra t’i jepte fund maskës së mashtrimeve. E nëse qeveria nuk e bën këtë, atëherë është detyrë e qytetarëve së paku të mos mashtrohen.