Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, nën hetim nga SPAK-u, ndaj të cilit rëndojnë të paktën 4 akuza të rënda penale, pak muaj më parë kur u arrestuan drejtorët e tij hajdutë, të cilët doli i mbrojti duke i quajtur anëtarët e një organizate që kishte bërë punë të mira në kryeqytet, filloi të prodhonte edhe disa gënjeshtra.
Jo vetëm gënjeshtra publike dhe politike, por edhe nga këto justifikueset për skandalet e tij.
Së pari, tha se do të thërriste një kompani angleze për auditim, një kompani e “Tony Blair”, që të paguante edhe disa para të tjera për organizatën “5D” që kishte brenda Bashkisë së Tiranës.
Për të paguar para, duke bërë rolin e budallait, se nuk dinte që hajdutët i kishte rreth e rrotull, i mbanin partinë me paratë që vidhnin, bënin pagesa, rrëmbenin tendera etj.
Veliaj tha më pas se do të bënte një tjetër tender, do të vinte një kompani gjermane që do të shikonte performancën.
Në fakt është një tender 720 mijë euro bërë për performancën e administratës, paratë kanë shkuar tek kompania “NOA” e Gent Sulës, ky i fundit një nga pronarët e objektit ku ushtron aktivitetin Ajola Xoxa me OJF-të e saj të famshme si “Harabel”, të cilat merren me kurimin e artit.
“Ne kemi marrë disa vendime: Një vendim që morëm këtë javë është lidhja në partneritet me kompaninë më të njohur të mirëqeverisjes në Britaninë e Madhe, në mënyrë që e gjithë Bashkia e Tiranës të kalojë në filtër të gjitha procedurat, mënyrën se si funksionon, si merren vendimet, si kontrollohen ato, mënyra e zbatimit të projekteve, por edhe inspektimin e zbatimit të tyre, për transparencë maksimale.
Kompania britanike ka filluar punë që në datën 1 gusht dhe do të prodhojë ndryshime në procedura.
Vendimi i dytë është lidhja e një marrëveshjeje me kompaninë më të madhe gjermane të auditimit dhe licencimit të certifikatave ISO.
Certifikata ISO 9000-9002 është ajo që verifikon të gjitha procedurat, që ato të jenë të standardit të BE dhe kush institucion e kalon këtë test dhe pajiset me certifikatën ISO, sigurisht që reflekton më shumë besim e siguri, por jep akses ose gjen mundësi të reja, sidomos kur bëhet fjalë për fonde të BE apo për procedura të Evropës së Bashkuar”, tha Veliaj në 7 Gusht të 2024.
Shumë mirë që Erion Veliaj tha se do merrte një kompani angleze, do paguante një kompani gjermane, që në fakt ishte Gent Sula ku kishte zyrat gruaja e kryebashkiakut Veliaj.
Pyetja është e thjeshtë: Cilat ishin rezultatet e këtyre auditeve, apo cila ishte performanca e duhur e Bashkisë së Tiranë.
Se perfomancën me hajdutëritë e “5D”-së e zuloi SPAK-u, e denoncoi Belind Këlliçi, e denoncoi CNA, u denoncua publikisht, faktet dhe provat u gjetën, përgjegjësit janë në burg.
-Pas këtyre auditeve të bëra, pas këtyre parave të shpenzuara, cilat janë rezultatet?
-Cilat janë problemet me tenderat në Bashkinë e Tiranës, pse vidhen?!
-Vidhen sepse është problem i sistemit, apo vidhen sepse janë hajdutët atje brenda?
Përtej auditimit, çfarë performance ka kryetari i bashkisë, i cili i kishte hajdutët e “5D”-së bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë.
Në asnjë rast nuk mori asnjë masë, përkundrazi i qarkullonte sa në një detyrë, në një tjetër, dhe ata vazhdonin të vidhnin sa në një ditë, në një tjetër. Pa folur më pas për performancat më të ulëta, apo auditimin e bërë në strukturat e tjera.
Mjafton të shohim rezultatet për kolegët e “5D”-së për të kuptuar se çfarë kanë bërë këto kompani, apo thjesht dhe vetëm paratë janë vjedhur./ CNA