Mashtrimi me Call Center-at në Shqipëri! GJKKO merr vendimin për Ardian Korrikun dhe Irisa Puca, ja me sa vite burg dënohen

GJKKO ka caktuar dënim me 6 vjet e 8 tetë muaj burgim për Irisa Pucën, gjithashtu me 6 vjet e 8 muaj burgim është dënuar edhe Ardian Korriku, të dy të akuzuar për mashtrim kompjuterik me anë ta Call Center-ave.

Ardian Korriku dhe Irisa Puca përfituan gjykim të shkurtuar.

GJKKO deklaroi fajtore të pandehurën Irisa Puca, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik” të kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal dhe vendosi dënimin e saj me 10 vjet burgim.

Por gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar, e për rrjedhojë Irisa do të burgoset me 6 vite e 8 muaj burgim.

I njëjti gjykim u aplikua edhe për Ardian Korrikun, i cili nga 10 vite burg u dënua me 6 vite e 8 muaj burgim. Korriku akuzohet për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik” të kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal.

Në hetim u përfshinë një sërë kompanish të cilat kanë kryer aktivitetin e “call center”, duke kryer dhe mashtrimet online në platforma mashtruese të shtetasve europianë.

Këto kompani lokalizoheshin në disa shtete, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Ukraina, Gjeorgjia etj., të cilat drejtoheshin ose koordinoheshin nga “Milton Group”.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, gjatë vlerësimit të një serveri të siguruar në proces janë identifikuar personat të cilët pa dyshim lidheshin me kompanine e IT “PumaTS/SMCompany”, Irisa Puca , Endri Bulku, Erlind Cekaj dhe Adrian Korriku.

Gjithashtu ka rezultuar se Merxhan Çeliku, kishte komunikime të drejtpërdejta me viktimat e mashtrimit në Austri dhe Gjermani, nëpërmjet këtyre platformave.

“Kjo është provuar plotësisht nëpërmjet adresave IP nga ku janë bërë komunikimet, si dhe lëvizjet e llogarive bankare dhe ato të valutave në modhedha virtuale, në të cilat kanë kaluar paratë e viktimave”, informoi SPAK.

Prokuroria e Posaçme informon se në bashkëpunim me autoritetet gjyqësore spanjolle janë gjendur dhe sekuestruar në posedim të shtetasit Amant Josifi (për të cilin jemi dakortësuar që ndjekjen penale ta ushtronin autoritetet spanjolle), subjekte tregtare të administruar nga ai, si dhe familjarëve të tij, llogari bankare me shumat monetare në total në vlerën prej 2 225 868.66 Euro dhe 2 844 936.37 lekë.

Nga hetimi rezulton se në këtë aktivitet të kundërligjshëm, janë të përfshirë edhe persona të tjerë shqiptarë dhe të huaj, për të cilët vazhdojnë hetimet.

NJOFTIMI

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të ҫështjes penale në ngarkim të të pandehurve Adrian Korriku dhe Irisa Puca, të akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në dëm të disa personave, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”, parashikuar si vepra penale nga nenet 143/b/2, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Flora Haredinaj, Flojera Davidhi dhe Elsa Ulliri, me vendimin Nr. 73, datë 06.12.2024 vendosi:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurës Irisa Puca, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik” të kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 143/b paragrafi 2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal dhe, në bazë edhe të nenit 334 pika 1 të Kodit Penal, dënimin e saj me 10 (dhjetë) vjet burgim.

– Deklarimin fajtor të të pandehurës Irisa Puca, për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, e parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë të Kodit Penal dhe, dënimin e saj me 2 (dy) vjet burgim. – Në bashkim të dënimeve, sipas nenit 55 paragrafi i parë të Kodit Penal, dënimin e të pandehurës Irisa Puca me një dënim të vetëm prej 10 (dhjetë) vjet burgim.

– Në bazë të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurës Irisa Puca, i ulet 1/3 e dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe, përfundimisht dënohet me 6 (gjashtë) vjet e 8(tetë) muaj burgim. – Vuajtja e dënimit të pandehurës i fillon nga dita e ndalimit datë 08.11.2022, dhe të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Adrian Korriku, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik” të kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 143/b paragrafi 2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal dhe, në bazë edhe të nenit 334 pika 1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim. Rruga “Jordan Misja” Nr.1, 1057 Tiranë; tel/fax 0035542231527; www.gjp.gov.al

– Deklarimin fajtor të të pandehurit Adrian Korriku, për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, e parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë të Kodit Penal dhe, dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim. – Në bashkim të dënimeve, sipas nenit 55 paragrafi i parë të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit Adrian Korriku me një dënim të vetëm prej 10 (dhjetë) vjet burgim.

– Në bazë të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Adrian Korriku, i ulet 1/3 e dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe, përfundimisht dënohet me 6 (gjashtë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim. – Vuajtja e dënimit të pandehurit i fillon nga dita e ndalimit datë 08.11.2022, dhe të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

3. Shpenzimet proceduriale, ato gjatë hetimit të çështjes në vlerën **** lekë, të pandehurve Irisa Puca dhe Adrian Korriku u ngarkohen solidarisht me të pandehurit në një proçedim lidhur, nr. 301/1 viti 2021, si dhe ato të gjykimit, sipas formularit bashkëngjitur këtij vendimi, të paguhen në mënyrë solidare nga të pandehurit Irisa Puca dhe Adrian Korriku.

4. Provat materiale, të bashkuara me fashikullin e gjykimit sipas urdhërit përkatës datë 05.02.2024 si dhe çdo provë tjetër materiale të sekuestruar për llogari të këtij procedimi penal të mbahen në ruajtje për llogari të procedimit penal të ndarë.

– Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Tiranë, më datë 06.12.2024

Exit mobile version