Maskarada e Ramës, Armando Prenga i shpëton edhe Gjykatës së Lartë

Deputeti i Ramës, Armando Prenga e la mandatin dy ditë para se KQZ të mblidhej për të vendosur mbi kërkesën e Prokurorisë për ta larguar atë nga Parlamenti, si pasojë e ligjit të dekriminalizimit. Ai nuk kishte deklaruar një dënim të formës së prerë, dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, me 450 000 lekë gjobë dhe disa precedentë penalë në Itali për vjedhje pasurish, falsifikime në përgjithësi, marrje të pasurisë së vjedhur, deklarata për identitet të rremë në vitet 1996-1997 në qytetin e Milanos. “Këto të dhëna janë konfirmuar nga komunikimi zyrtar me autoritetet italiane”, deklaroi Prokuroria.
Por Prenga, për të mos e lejuar KQZ që të marrë një vendim, çka do ta pengonte për të kandiduar sërish në zgjedhje, dorëzoi dorëheqjen. Vendimi i tij u mor me ndërhyrjen e Ramës, ndërsa KQZ e zvarriti vendimmarrjen, duke i dhënë kohë Prengës.
Llogaritë me dorëheqjen e kanë favorizuar atë edhe në gjyqin që po zhvillohet për sherrin me familjen Cali, ku prenga akuzohet se ka plagosur me pistoletë para Policisë së Kurbinit njërin nga anëtarët e kësaj familjeje.
Si deputet, Prenga po gjykohej nga Gjykata e Lartë, e cila, për zyrtarët e lartë shërben edhe si Gjykatë e Faktit. Por tani që ka hequr dorë nga mandati, Gjykata e Lartë shpalli dje moskopetencën dhe ia ka kaluar dosjen Gjykatës së Kurbinit.
Në këtë mënyrë, Prenga do të ketë më shumë mundësi në betejën e tij ligjore. Duke qenë se, Gjykata e Lartë i luante të dyja rolet, pra edhe atë të Shkallës së Parë, i gjithë procesi do të mbyllej brenda saj.
Me transferimin e çështjes në Kurbin, Prenga mund ta dërgojë atë, sipas interesit, në Apel apo sërish në Gjykatën e Lartë, në vartësi të vendimit. Në këtë mënyrë, procesi do të zvarritet dhe vëmendja e publikut do të jetë më e ulët sesa në rastin e zhvillimit të gjyqit në Gjykatën e Lartë.
Armando Prenga dorëzoi mandatin e deputetit më 27 shkurt 2017. Mandati i tij i kalon Petrit Gjonit të LSI, pasi në Qarkun e Lezhës, veç Prengës mandatin e ka dorëzuar edhe Arben Ndoka, i dënuar me 7 vjet burg për prostitucion. Ndërsa Kastriot Piroli, që ishte në radhë pas Prengës, është i dënuar për korrupsion.

Artikulli paraprakDrejtori i Policisë thirret në Prokurori për Shullazin
Artikulli tjetërRritet numri i vrasjeve për drogën, gjendet një tjetër kufomë në bregdet