Maskarada e Ramës e Gjiknurit me faturat e energjisë në Dibër

Deputetja demokrate e Dibrës, Dhurata Çupi denoncoi dje një rast flagrant ku dëshmohet se si familjet dibrane janë faturuar me shifra marramendëse për energjinë elektrike. Deputetja demokrate ka publikuar dy fatura energjie, një para zgjedhjeve dhe një pas zgjedhjeve, ku shihet se para zgjedhjeve të majit të 2015 fatura kishte zero detyrime por menjëherë pas zgjedhjeve familja është faturuar me plot 1.5 milionë lekë të vjetra.
“Kemi këtu një mashtrim klasik të Edi Ramës. Ja fatura që dërgon ai për qytetarët para zgjedhjeve. Kemi një faturë për një familje në Dibër në fund të majit të 2015, pra pak para zgjedhjeve të qershorit. Thotë se detyrimi për vitet 2007-2015 është zero lekë. Mbaruan zgjedhjet, nxjerr kokën Edi Rama. Ja fatura e fundit të qershorit. E njëjta periudhë që para zgjedhjeve faturohej me zero lekë, i vjen pas një muaji familjes së varfër dibrane, me 1 milionë e 580 mijë lekë. Këto lloj faturash kanë qenë masive.
Ky është mashtrimi tipik i Edi Ramës para zgjedhjeve, një prej përpjekjeve të tij për të kapur votat. Prandaj ka dërguar në Dibër Damianin, njeriun e faturave të larta të energjisë, të faturave abuzive, njeriun e burgut dhe errësirës për të varfërit. Me mashtrime, me kërcënime, me milionat e Sadriut, me çdo formë Edi Rama po tenton të kapë votën në Dibër. Po dibranët kanë një shprehje; ma hodhe një herë të daltë njani sy, ma hodhe herën e dytë, u bafsha qorr. Dibranët dhe shqiptarët nuk mund të mashtrohen dy herë. Vota e 11 shtatorit ka për të zbrapsur damianët e gjithë marifetet e Ramës. Dibra, e para do të nisë një ditë të re pa mashtrimet e pa krimet e qeverisë. Dibra më mirë pa Edi Ramën. Shqipëria më mirë pa Edi Ramën”, tha Çupi në reagimin e saj.

Artikulli paraprakProtesta me kazanë plehrash në Bashki
Artikulli tjetërFaqja e parë