Maskarada korruptive e qeverisë që në konflikt të hapur interesi u dhuron miliona deputetëve dhe familjeve të tyre ka gjetur provën më të qartë tek deputeti Sadri Abazi. Një injorant dhe i pashkollë, ai favorizohet nga Rama në të gjitha tenderat dhe ndërtimet pa leje, si dhe në dhënien me qira të objekteve në pronësi për llogari të kompanive shtetërore për të vetmin shkak se Abazi është një sponsorizues i blerjes së votave në Dibër. Aktualisht Sadriu po i kthen Ramës një pjesë të atyre tenderave korruptivë, duke u angazhuar në blerjen e votave në Dibër, një skenar i pistë, i cili mund të sjellë destabilizim të procesit zgjedhor.
55 mijë eurot e OSHEE për Sadriun në shkelje ligji
Një kontratë e lidhur nga Posta Shqiptare me një shoqëri që drejtohet nga familja e një deputeti socialist, ka ngjallur dyshime të forta për një aferë të pastër korruptive. Bëhet fjalë për një kontratë qiraje për disa ambiente në katin e parë të një pallati pranë Stacionit të Trenit, në pronësi të shoqërisë “Usluga” të familjes së deputetit të mazhorancës, Sadri Abazi.
Disa dokumente zyrtare tregojnë se Posta Shqiptare do t’i paguajë shoqërisë “Usluga” 17 euro për metër katror për ambientet që po i përdor për zyra, për një periudhë 5–vjeçare. Sipërfaqja e përgjithshme është 271 metër katrorë, ndërsa vlera e qirasë për një vit është 55.284 mijë euro. Sipas një përllogaritje të bërë nga “lapsi.al”, rezulton se kjo qira është thuajse tre herë më e lartë se çmimi dysheme i vendosur nga qeveria.
Si bëhet përllogaritja?
Çmimi minimal i qirasë për ambientet që përdoren për dyqane shërbimesh caktohet në bazë të një vendimi të Këshillit të Ministrave të qershorit 2015.
“Sipas vendimit, për 1 m² sipërfaqe për dyqan mallrash apo shërbimesh, vlera minimale e qirasë mujore është dy herë më e lartë se vlera minimale e qirasë mujore për 1 m² sipërfaqe të apartamenteve të banimit, sipas zonave të Tiranës”, thuhet në vendim.
Por si përcaktohet vlera minimale e qirasë mujore për apartamentet, nga e cila më pas përllogaritet vlera e qirasë për dyqanet e mallrave apo shërbimeve?
“Çmimi dysheme, për metër katror sipërfaqe ndërtese të dhënë me qira, është i barabartë me 0.3 për qind të çmimit të shitjes së saj, e përcaktuar në udhëzimin e Këshillit të Ministrave, ‘Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave, nga Enti Kombëtar i Banesave’.
Për zonën e Stacionit të Trenit, e përcaktuar si zona 9/1 çmimi i shitjes është 130 mijë lekë për metër katror. Çmimi dysheme për dhënien me qira duhet të jetë 0.3% e kësaj shume, që rezulton 390 lekë ose 2.8 euro për metër katror. Meqë sipërfaqja përdoret për dyqane shërbimesh, atëherë ajo duhet të jetë minimalisht dy herë më e shtrenjtë, që rezulton 780 lekë ose 5.7 euro për metër katrorë.
Por Posta Shqiptare, në ndryshim nga dyshemeja prej 5.7 eurosh, i paguan shoqërisë “Usluga” të familjes së deputetit socialist, Sadri Abazi, plot 17 euro për metër katrorë ose një vlerë 3 herë më të lartë.
Ky çmim qiraje për metër katror është dy herë më i lartë se vlera minimale e përcaktuar nga qeveria për zonën më të shtrenjtë e Tiranës, atë të Bllokut.
Në Bllok, që përcaktohet si zona 5/1 në hartën e mëposhtme, çmimi i shitjes është 175 mijë lekë për metër katrorë, i miratuar nga qeveria. Çmimi dysheme i dhënies me qira duhet të jetë 525 lekë për metër katror dhe për dyqanet e mallrave apo shërbimeve, dyfishi i kësaj shume, 1 050 lekë ose 7.7 euro për metër katrorë.
Përveç çmimit të kripur që Posta Shqipare i paguan familjes së deputetit socialist me paratë e buxhetit të shtetit, disa dokumente të tjerë i shtojnë dyshimet për favorizim të bizneseve të Sadri Abazit nga qeveria.
Një shkresë zyrtare tregon se një pallat i ndërtuar nga një kompani e tij duhet të ishte prishur si ndërtim pa leje, me vendim të marrë nga Bashkia e Tiranës në vitin 2010, kur ajo drejtohej nga Edi Rama.
Pavarësisht vendimit, objekti i rezistoi edhe aksionit kundër informalitetit që Rama e nisi me hedhje në erë me tritol të pallateve të ndërtuara pa leje, si ai i Abazit.
Opozita e ka akuzuar Kryeministrin se jo vetëm i ka favorizuar bizneset e Sadri Abazit, por i ka dhënë edhe para të tjera publike. Sipas saj, një kompani e zotëruar prej deputetit socialist ka përfituar 970 milionë lekë prej OSHEE.
PD thotë se Abazi ka fituar 27 tendera publikë; në periudhën janar 2014-dhjetor 2014 ka fituar 11 kontrata dhe në janar 2015-dhjetor 2015, 16 kontrata.
Në krye të listës në përfitimin e tenderave
Numri i tenderave të përfituara nga Sadri Abazi sa vjen dhe rritet ashtu si edhe ndërtimet pa leje të tij sa vijnë dhe lartësohen. Në harkun kohor të vetëm dy viteve, ndërtimet e paligjshme të Sadri Abazit, të cilat janë objekte shumëkatëshe kanë rritur ndjeshëm sipërfaqet e tyre të ndërtimit. Sadri Abazi kryeson në listën e ndërtuesve që po zaptojnë çdo sipërfaqe me ndërtime të paligjshme. Një ndërtim 6-katësh i paligjshëm tek “Zogu i Zi” ka zaptuar pronën private të familjes tiranase dhe ka bllokuar diellin dhe ajrin e banorëve të pallatit mbrapa. Pak muaj më parë, në vend që të prishej, Abazi i bëri edhe meremetimet sipas qejfit ndërtimit të paligjshëm, por shteti ishte i zënë dhe nuk pa asgjë. Por nga ana tjetër, një ndërtim i paligjshëm përgjatë autostradës që hodhi shtat menjëherë me qeverisjen e Edi Ramës dhe i mbrojtur në paligjshmëri nga ky i fundit vijon të lartësohet nga Abazi. Lista e ndërtimeve pa leje të Abazit është e gjatë, një ndërtim i paligjshëm (shtesë kati) në njërin nga 6 pallatet e paligjshme të ndërtuara në zonën e gjelbërt ish-Fidanishtja e Luleve të Tiranës. Nuk dihet sa ka ndarë me Edi Ramën. Ndërtimi pa leje i deputetit të PS, Sadri Abazi në zemër të Tiranës, nuk preket as nga Lame i ALUIZNI-t dhe as nga drejtoresha e INUK, Dallëndyshe Bici, ndërsa ruspat shembin shtëpitë e fukarenjve dhe të njerëzve pa përkrahje. Deputeti i PS, Sadri Abazi, ka kryer dhjetëra ndërtime pa leje dhe askush nuk guxon që të shembë qoftë edhe një ndërtim të jashtëligjshëm të tij. Abazi ka 5 pallate të paligjshme tek ish-serrat e Stacionit të Trenit, për të cilat ka vendim prishjeje nga INUK-u, por nuk prishen. Ka një 6-katësh të paligjshëm në tokë të familjes Gjinali tek “Zogu i Zi”, veç 2 metra para pallatit 8-katësh. Një 6-katësh në autostradë, veç 20 metra nga rruga. Po ashtu, Abazi ka ndërtuar një pallat pa leje në një nga zonat më të bukura të plazhit të Golemit.
Sadriu, tender 200 milionë më të shtrenjtë se rivali i tij
Në këtë maskaradë të tenderave të pushtetit në drejtim të deputetit të pushtetit Sadri Abazi përfitojnë edhe familjarët e Sadriut deri tek nipi i tij, i cili ka mundur të sigurojë një tender edhe pse oferta e paraqitur prej tij ka qenë 200 milionë lekë më shumë se rivali.
Oligarku i Ramës ka marrë një tender pak ditë më parë, 870 milionë lekë për rikonstruksionin e bulevardit “Elez Isufi” në Dibër, ku ishte paracaktuar si fitues ai dhe nipi i tij me firmën “ALKI Impex”.
Të gjashtë operatorët e tjerë në garë u skualifikuan ndonëse dy prej tyre kishin bërë ofertë me 200 milionë lekë më pak se firma e Sadriut.
Ankesat e tyre ligjore tek KPP e Edi Ramës, u hodhën poshtë me urdhër, sepse dihet që njeriu që vendos për çdo tender në vend, është vetë Edi Rama, i cili i ka kërkuar Sadriut të hidhet në sulm e të blejë sa më shumë vota në zgjedhjet në Dibër, ndaj dhe nuk ndalen tenderat për këtë oligark të rilindjes.
200 milionë lekë më shumë se sa kushton puna, i jep Rama Sadriut, me të cilat mund të paguheshin në Dibër 1333 pensione në qytet, 2424 pensione në fshat, 2900 familje mund të merrnin pagesë mujore për papunësinë dhe 909 persona mund të përfitonin të punësuar me pagë minimale.
Por Edi Rama ia jep këto dhe qindra milionë lekë të tjerë të taksave të shqiptarëve, Sadriut, në shkelje të ligjit, që Sadriu t’i përdorë më pas për të blerë votat në Dibër për kandidatin e qeverisë.
Sepse Ramës nuk i interesojnë qytetarët, por blerja e votës, kapja e pushtetit me çdo kusht. Me këto akte korrupsioni dhe me këto krime ndaj votës së lirë, Edi Rama në fakt po blen vetëm fundin e tij të shpejtë. Dibranët e dinë mirë si gjithë qytetarët e vendit, se Shqipëria është më mirë pa Edi Ramën.