Pronari i firmës së ndërtimit “Arlis”, Armand Lilo është bërë pronar i lulishtes tek ish-Parku i Autobusëve në Tiranë në shtator të vitit 2015-të kur Bashkinë e mori Veliaj dhe jo në vitin 2013 siç deklaroi ai. Lilo akuzoi të dielën ish-kryebashkiakun Lulzim Basha se, “kishte bërë presion për t’i falur një pjesë të ndërtimit në lulishten pranë Policisë Bashkike në Tiranë”, por ajo që nuk tregon firma e ndërtimit “Arlis” është se, Lilo është bërë pronar i lulishtes pas shtatorit të vitit 2015-të. Kjo periudhë përkon me hyrjen në zyrë të kryebashkiakut të ri, Erion Veliaj.
Duke iu referuar deklaratës së bërë dje nga firma e ndërtimit “Arlis” lind pyetja se, përse Basha duhet t’i bënte presion një personi që nuk ishte pronar i tokës?
Firma e ndërtimit “Arlsis” ka rrethuar parkun e fëmijëve pranë Policisë Bashkiake dhe ka nisur punimet për ndërtimin e një kompleksi pallatesh 11 katëshe. Prishja e lulishtes dhe ndërtimi i pallateve ngriti në revoltë banorët e zonës që e kundërshtojnë këtë projekt. Kantieri ruhet nga punonjës të sigurisë të një kompanie private, të cilët kujdesen që të mos kryen filmime, ndërsa në tabelë informuese nuk ka detaje përsa i takon sipërfaqes së zënë, përveçse disa të dhëna për firmën ndërtuese dhe kohëzgjatjen e punimeve deri në 72 muaj.
Banorët, të ngritur edhe në protestë thonë se, kjo hapësirë nga një kënd lojërash, po kthehet në ndërtim duke reduktuar edhe më tej vendet publike për komunitetin. Jamarbër Malltezi shefi i Departamentit të Mjedisit në PD, si dhe këshilltarët bashkiakë, Leonard Olli, Kreshnik Çollaku dhe Fabian Topollaj, akuzuan kryeministrin Rama se po favorizon klientët.
Ndërsa kryebashkiaku Veliaj tha dje se, e gjitha kjo është një histeri kolektive e njerëzve që nuk kanë ndërtuar asnjë park. Firma e ndërtimit deklaroi të dielën se, leja e ndërtimit është marrë në vitin 2013 pas miratimit të Planit të Përgjithshëm Vendor të Tiranës, kohë kur Bashkinë e drejtonte Basha. Por Kreu i Departamentit të Ambjentir, Pyjeve dhe Turizmit në PD, Jamarbër Malltezi publikoi dokumentat që vërtetonin se ky plan vendor ishte vetëm për zhvillimin e zonës dhe nuk lejohen ndërtime godinash. Qytetarët janë ngritur në protesë për kundërshtimin e këtij projekti të ndërtimit të komplesksit të pallateve 11-katëshe.
Prej ditësh, lulishtja e ish-Parkut të Autobusëve po kafshohet nga ekskavatorët e parasë dhe pushtetit. Hapësira që deri më dje dëfrente fëmijët dhe të rriturit, me pemë dhe qiell, po tjetërsohet në një monstër luksoze betoni që do t’ua pamundësojë jetesën banorëve të atyshëm. Vetëm që kryetari i Bashkisë dhe oligarkët rrotull tij të fitojnë makutërisht.
Banorët kanë vendosur ta shtrijnë protestën e tyre përpara Bashkisë së Tiranës dhe të ftojnë të gjithë bashkëqytetarët në të. Shkatërrimi i një parku diku është kërcënim për çdo park dhe hapësirë publike në Tiranë.