Maskat futen në banesë, terrorizojnë dy të moshuarat dhe grabisin 15 mijë euro

Një banesë është grabitur orët e para të mëngjesit në Terihat të Dropullit. Sipas burimeve, persona të maskuar ende të paidentifikuar kanë hyrë në banesën ku ndodheshin dy të moshuara, kanë marrë 15 mijë euro dhe më pas janë larguar.

“Rreth orës 03:30, në fshatin Terihat, Bashkia Dropull, persona ende të paidentifikuar, kanë hyrë në banesën e shtetasit V.B., ku ndodheshin dy të moshuara dhe kanë marrë një sasi parash dhe janë larguar”, njoftoi policia. “Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor, ku vijojnë veprimet për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, shtuan të njëjtat burime.

Fqinjë thanë se pronari i banesës, Vasil Basho kishte shkruar në Greqi dhe sapo është informuar mbi ngjarjen është nisur me urgjencë drejt fshatit.

Në banesë, mësohet se ka qenë vetëm vjehrra e tij me një grua tjetër të moshuar, fqinje, e cila rrinte me 80-vjeçaren për ti bërë shoqëri. Ato kanë deklarojnë para uniformave blu se i është bërë presion nga autorët, të cilët ishin tre shtetas me maska, doreza dhe armë.

“Ne dje në mëngjes ikëm në Athinë, sot u kthyem”, tha e zonja e banesës për mediat.

Nisur nga koha e zgjedhur për të bërë grabitjen, kur të zotët e shtëpisë sapo ishin larguar nga vendi, dyshohet se autorët ishin të mirë informuar mbi lëvizjet e familjes e cila ka rënë pre e krimit.

Sakaq, lidhur me shumen e grabitur, dyshohet se është rreth 15 mijë euro. Kaq është shifra qe pretendon i zoti i shtëpisë që i kanë marrë. Por, zyrtarisht ende nuk ka asnjë të dhëne për shumën e parave të grabitura.

Exit mobile version