Një resort ka rënë pre e grabitjes me armë nga persona të maskuar në rrugën Ahmetaq-Rinas. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:45. Policia sqaron se, “dy persona të maskuar dhe nën kërcënimin e disa sendeve të dyshuara si armë, tek një resort, kanë marrë 100 000 lekë tek recepsioni dhe janë larguar.
Në momentin e vjedhjes në recepsion ka qenë recepsionistja. Personat e maskuar i kanë vënë armën në kokë punonjëses së hotelit dhe e kanë detyruar që të hapë kasafortën, ku mbaheshin paratë. E ndodhur nën terror punonjësja u ka dhënë paratë personave të maskuar, të cilët më pas janë larguar me shpejtësi.
Me të marrë njoftim, menjëherë në vendngjarje kanë shkuar efektivët e Policisë, por pa mundur të identifikojnë dhe arrestojnë autorët. Policia bëri të ditur se po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve”. Grupi hetimor po kryen të gjitha veprimet e duhura hetimore për zbulimin dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.