Një tjetër grabitje me dhunë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Shëngjin të Lezhës. Tri persona të maskuar dhe të armatosur janë futur në banesë dhe nën kërcënimin e armëve kanë arritur të marrin 15 milionë lekë, të cilat gjendeshin në katin e dytë të objektit që shërbente edhe si shtëpi për familjen e biznesmenit dhe këngëtarit të njohur lezhjan Zef Beka, automjetin e tij tip “Golf 5” dhe më pas janë larguar me shpejtësi.
Lajmi konfirmohet nga Policia e Lezhës, sipas të cilës ngjarja ka ndodhur dje në orët e para të mëngjesit, rreth orës 01.20. Burimet e policisë bëjnë të ditur se, Policia e Lezhës është njoftuar se është vjedhur banesa e shtetasit Zef Beka, banues në Ishull Shëngjin, i cili është këngëtar i muzikës popullore. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor që kanë konstatuar se 3 persona të maskuar, me anë të dhunës kanë vjedhur shumën monetare prej 15 milionë lekësh, si dhe një mjet “Golf 5” në pronësi të këngëtarit.
Mësohet se automjeti është gjendur i përplasur në segmentin e vjetër rrugor Lezhë-Milot në dalje të fshatit Manati. Grabitësit janë larguar në këmbë duke e lënë makinën në kanal. Mëngjesin e djeshëm makina është gjetur e braktisur nga forcat e policisë.
Pronari i restorantit ka deklaruar para hetuesve se gjendej me familjen e tij brenda banesës, kur ka konstatuar në dhomë 2 prej grabitësve, të cilët i kanë kërcënuar familjen. Sipas tij, ata kanë marrë paratë e grumbulluara nga shfrytëzimi i restorantit për dasma, si dhe çelësin e makinës së tij, raportojnë mediat lokale. Për shkak të maskave, Zef Beka nuk ka njohur asnjërin prej grabitësve, ndërsa hidhen dyshime se ata mund të kishin dijeni për shumën e parave që gjendej në banesë.
Policia tha se, ngriti menjëherë disa postblloqe dhe kreu disa kontrolle, por pa mundur të bjerë në gjurmët e autorëve. Janë shoqëruar dhe marrë në pyetje rreth ngjarjes disa persona, ndërsa bëhet e ditur se janë sekuestruar edhe disa sende në cilësinë e provës materiale. Deri në orët e vona të ditës së djeshme nuk pati asnjë të ndaluar nga policia për këtë ngjarje të rëndë.
Kjo është grabitja e katërt që ndodh brenda 24 orëve. Dy ditë më parë u grabit një bankë në qendër të kryeqytetit, tek ish-Blloku, një kompani e shpërndarjes së karburanteve në Fushë-Prezë dhe një pikë shkëmbimi valutor në Fushë-Krujë. Bëhet e ditur se maskat kishin përdorur një makinë të vjedhur për grabitjen e parave në pikën e këmbimit valutor në Fushë-Krujë. Burime nga policia thanë se autorët rreth orës 03:30 minuta të ditës së hënë kanë thyer derën e pikës së këmbimit valutor me makinën që kishin vjedhur. Ata kanë marrë shumën prej 288 mijë lekësh që ndodheshin në kasafortën e pikës së këmbimit valutor.
Ndërkaq të njëjtat burime kanë bërë të ditur se makina e cila është përdorur në këtë grabitje është vjedhur në Tiranë, konkretisht në zonën e Laprakës. Makina mësohet se është gjetur nga policia dhe është në ambientet e Policisë së Fushë-Krujës, duke u mbajtur në ruajtje, ndërsa është duke u kërkuar për autorët e grabitjes.
Po të hënën persona të maskuar dhe të armatosur grabitën një kompani të shpërndarjes së karburantit në fshatin Fushë-Prezë të Tiranës. Sipas burimeve, maskat grabitën në kërcënimin e armëve kompaninë e shpërndarjes së karburantit në periferi të Tiranës, në kufi me Fushë-Krujën, në zonën e Fushë-Prezës. Dy persona kanë arritur të grabisin kasafortën e kompanisë të shpërndarjes së karburantit duke përdorur një makinë tip “Benz”.
Para se të kryenin grabitjen, dy personat e maskuar kanë thyer kamerat e sigurisë që të mos identifikoheshin nga policia. Bëhet e ditur se maskat kanë ushtruar dhunë dhe terror ndaj punonjësve të kompanisë derisa kanë arritur të marrin paratë dhe të largohen me një makinë pa targa.
Prej kohësh vendi ndodhet në anarki. Tashmë ligjin e bëjnë bandat, ndërsa rendi dhe siguria kanë rënë. Policia është e pafat për të goditur krimin. Bandat grabisin banka, pika këmbimi valutor, kazino, surpermarkete e gjithfarë biznesesh pa patur asnjë problem nga policia. Dyshohet se grabitja e bankave kryhet në bashkëpunim me punonjës të policisë. Në asnjë rast policia nuk ka arritur të zbulojë autorët e grabitjeve, që vetëm gjatë ditëve të para të gushtit ka shkuar në më shumë se dhjetë.
R.POLISI