Maskat grabisin me dhunë një pikë këmbimi valutor në Fier

Persona të maskuar dhe të armatosur grabitën me dhunë një pikë këmbimi valutor në Fier. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:45, në Levan ku nën kërcënimin e armëve, dy persona të maskuar kanë marrë paratë që ndodheshin në arkën e “Exchange”. Njëri nga personat e maskuar i ka vënë pistoletën në kokë pronarit të pikës së këmbimit valutor dhe e ka detyruar që të hapë kasafortën dhe të dorëzojë paratë.
Bëhet e ditur se, maskat kanë marrë një sasi lekësh, duke kërcënuar pronarin e pikës së këmbimit valutor dhe janë larguar. Policia ka mbërritur në vendngjarje, por nuk ka mundur të arrestojë autorët. Personat e dyshuar kanë marrë rreth 50 mijë lekë të reja dhe janë larguar, thanë burime policore.
Para pak ditësh, tre persona të maskuar dhe të armatosur grabitën paratë dhe sende me vlerë në një banesë në Ksamil. Maskat, pasi kanë dhunuar e kanë lidhur kryefamiljarin dhe kanë grabitur një shumë parash dhe sende me vlerë në banesë, kanë marrë edhe makinën që ndodhej në oborrin e shtëpisë dhe janë larguar në drejtim të paditur për policinë. Vetë pronari i banesës ka bërë denoncimin në Policinë e Sarandës dhe ka treguar tmerrin, ndërsa ka treguar se grabitësit kanë mundur t’i vjedhin edhe automjetin tip “Benz”. Ai tha se, grabitësit ishin tre persona të maskuar dhe të armatosur me armë zjarri, të cilin e kanë rrahur e goditur me qytën e armës e më pas e kanë lidhur me litar. Policia ende nuk ka arritur të zbulojë autorët.

Artikulli paraprakHetimi: Studentja u vra me 3 plumba nga Aldison Beluli
Artikulli tjetërSherr me thika në Durrës, plagoset një 21-vjeçar