Maskat grabisin në kërcënimin e armëve një dyqan në Tiranë

Persona të maskuar dhe të armatosur grabitën mbrëmjen e djeshme një dyqan në Tiranë. Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30 të mbrëmjes në rrugën “Bardhyl”. Bëhet e ditur se dy persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve i kanë marrë shitëses së dyqanit të gjitha paratë e xhiros ditore në një prej dyqaneve të kompanisë “Abisnet”.
Kohët e fundit në Tiranë janë shtuar grabitje të tilla. Kujtojmë para 10 ditësh grabitjen e një supermarketi, ku autorët e maskuar shkuan dhe u larguan nga vendi i ngjarjes me biçikletë pa u shqetësuar nga policia.
Një ditë më parë u grabit një pikë këmbimi valutor në Tiranë. Persona ende të paidentifikuar nga policia kanë thyer pikën e këmbimit valutor dhe kanë marrë më shumë se 17 milionë lekë. Bëhet e ditur se, Exchange në rrugën “Lord Bajron” në lagjen Laprakë është në pronësi të shtetasit L. B., i cili në mëngjes ka konstatuar se i ishte vjedhur dyqani.
Sipas dëshmisë së pronarit të agjencisë së këmbimit valuator, grabitësit kanë marrë 1.200.000 lekë (të reja), 3000 dollarë amerikanë dhe 1000 dollarë kanadez. Policia ende nuk ka arritur të zbulojë autorët e kësaj ngjarjeje. Para katër ditësh u grabit një agjenci e këmbimit valutor dhe transfertave të parave në Fushë-Krujë. Një person i maskuar dhe me armë në dorë është futur në agjenci, duke i marrë shitëses shumën prej 2 milionë lekësh.

Artikulli paraprakGrabitet me armë një karburant në Korçë
Artikulli tjetërSkemë për lirimin e Shullazit, shtyhet seanca për 12 herë rresht