Maskat kanë grabitur një minimarket në mes të ditës dhe në qendër të qytetit të Memaliajt. Bëhet e ditur se një minimarket që ndodhet në qendër të qytetit është grabitur ditën e djeshme rreth orës 17:00 nga persona ende të paidentifikuar. Biznesi është në pronësi të shtetasit Gëzim Sulkaj, i cili ishte larguar për rreth 2 orë nga puna për shkaqe familjare.
Sulkaj ka rrëfyer kur është kthyer e ka gjetur marketin të shkatërruar. Ai tha se autorët kanë vjedhur 1.5 milionë lekë të vjetra, si dhe 500 mijë lekë të vjetra mall si cigare dhe asortimente ushqimore. Autorët mësohet se kanë thyer dritaret nga ku më pas janë futur në brendësi. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe forcat e policisë.
Maskat janë kthyer në një tmerr për qytetarët dhe tregtarët në të gjithë vendin. Para tre ditësh dy persona të armatosur dhe të maskuar u futën në një supermarket në Kamëz ku njëri prej tyre hapi zjarr me armë duke lënë të plagosur një shitëse. Një person ka mbetur i plagosur pas një breshërie me automatik mbrëmjen e djeshme në Kamëz. Ngjarja ka terrorizuar banorët që ishin të shumtë në numër. Dëshmitarë në vendngjarje bënë të ditur se mjaft qytetarë kanë vrapuar sapo kanë dëgjuar krismat për t’i shpëtuar plumbave. Po ashtu të terrorizuar kanë mbetur edhe klientët në supermarket. Grabitësi është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të paditur për policinë. Policia ka shkuar në vendngjarje pasi është njoftuar, por nuk ka mundur të zbulojë autorin.