Maskat i grabisin kambistit 100 milionë lekë në Korçë

Dy persona të maskuar kanë sulmuar me armë një kambist në Korçë dhe i kanë marrë çantën plot me lekë. Burime nga policia thanë se, ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në lagjen numër 18 në Korçë, tek rruga “Petraq Shomo”. Sipas policisë, dy persona të maskuar i kanë dalë në rrugë dhe i kanë marrë me dhunë shtetasit me inicialet A. I., një çantë brenda së cilës kishte një shumë të madhe lekësh. Maskat kanë ushtruar dhunë ndaj kambistit dhe më pas i kanë vënë pistoletën në kokë duke e detyruar që të dorëzojë çantën me para.
Nga të dhënat e para, rezulton se dy personat, pasi i kanë marrë çantën kambistit janë larguar me shpejtësi në drejtim të paditur për policinë. Policia nuk bëri të ditur për shumën e parave që i janë grabitur kambistit, por dyshohet se kanë qenë më shumë se 100 milionë lekë. Bëhet e se kambisti do t’i kthente kartmonedhat shqiptare në euro ose dollarë.
Policia bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi për shtyp se ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk pati asnjë të ndaluar nga policia për këtë ngjarje të rëndë.
Para katër ditësh u grabit një karburant në aksin rrugor Korçë-Kapshticë. Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur në afërsi të fshatit Dishnicë, ndërsa grabitja është kryer nga 4 persona të armatosur dhe të maskuar, të cilët kanë mbërritur në afërsi të karburantit me një makinë. Fillimisht kanë dhunuar fizikisht rojen e karburantit dhe më pas janë ngjitur në katin e dytë të godinës, ku ndodhej edhe kasaforta. Autorët ende nuk janë zbuluar dhe arrestuar nga policia.
Po para katër ditësh, maskat grabitën një dyqan në Tiranë. Dy persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve i kanë marrë shitëses së dyqanit në rrugën “Bardhyl” të gjitha paratë e xhiros ditore në një prej dyqaneve të kompanisë “Abisnet”. Kohët e fundit në Tiranë janë shtuar grabitje të tilla. Kujtojmë para 10 ditësh grabitjen e një supermarketi, ku autorët e maskuar shkuan dhe u larguan nga vendi i ngjarjes me biçikletë pa u shqetësuar nga policia.

Artikulli paraprakProkuroria tjetër akuzë ndaj Frrokut, rrezikon 8 vite burg
Artikulli tjetërPërmbytjet, revoltë në Shkodër: Grevë përpara Kryeministrisë!