Maskat i grabisin makinën: “Jam me fat që jam gjallë”

Tre persona të armatosur dhe me maska i grabitën makinën një qytetari në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të djeshëm në periferi të Tiranës. Sipas burimeve, tre persona të armatosur dhe me maska kanë thyer njërin xham të makinës së parkuar poshtë shtëpisë së tenorit Ylber Gjini, në momentin që janë pikasur nga banorët e familjes, i kanë kërcënuar me armë. Maskat kanë grabitur makinën dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të paditur për policinë. Pronari i makinës ka njoftuar menjëherë policinë, por ende nuk është bërë i mundur identifikimi dhe kapja e autorëve.
Tenori Ylber Gjini është shprehur pas ngjarjes së rëndë se është me fat që është gjallë. “Jam me fat që jam gjallë”, u shpreh mes lotësh për “News24” solisti i Teatrit të Operës në Tiranë, tenori Ylber Gjini. I përlotur, Gjini tregon se makinën e blerë me kredi dy muaj më parë e kishte parkuar poshtë ballkonit të banesës së tij në zonën e Yzberishtit, ku 3 autorë të maskuar dhe të armatosur, pasi i thyen njërin xham ia grabitën. I biri kishte ndjerë zhurmat dhe e ka njoftuar. Të dy kanë dalë në ballkon, por autorët i kishin kërcënuar me armë.
“Në orën 2:54 dëgjoj zërin e çunit që po bërtiste në ballkon. Kur dal unë, i fundit që hipi në makinë nga të tre kriminelët me maska, me kobure, me pistoletë në dorë u fut në makinë”, thotë tenori. Menjëherë pas kësaj skene, Ylber Gjini ka njoftuar policinë. Forcat e Komisariatit Nr. 6 që patrullonin në zonë janë vënë në ndjekje, por gjurmët e grabitësve humbën në Mëzez.
Kjo nuk është hera e parë që artisti bie pre e grabitësve. Ai tregon se i kanë grabitur më herët biçikletën, motorin dhe një bar kafe që administron. “Tani i bie që të punoj 10 vjet për ta shlyer makinën se e kam marrë kredinë për 10 vjet. I bie të punoj 10 vjet për hajdutin. Më kanë vjedhur tre herë. I bie që gjithë jeta të punosh për hajdutët, për kriminelët”, thotë Gjini.
Gjini shkruan në rrjetet sociale se ndihet i kërcënuar dhe i pa mbrojtur nga strukturat shtetërore, përgjegjëse për mbrojtjen dhe sigurinë e jetës e pronës, e për këtë do të kërkojë mbrojtje nga trupi diplomatik në Shqipëri. Zona ku ka ndodhur ngjarja është e pa ndriçuar dhe pa kamera sigurie. Kjo i ka favorizuar grabitësit që të largohen pa lënë gjurmë. Në këto kushte, artisti Ylber Gjini i bën apel shtetit që të sigurojë familjen e tij dhe të jetë e pranishme në zonën ku ai jeton.
Grabitjet janë shtuar së tepërmi gjatë kohëve të fundit në të gjithë vendin. Jeta e qytetarëve është në rrezik nga maskat që kontrollojnë akset rrugore të armatosur. Rruga e “Kombit” mbahet në kontrollin e maskave dhe drejtuesit e mjeteve nga Kosova kanë frikë të udhëtojnë natën. Para një jave, maskat grabitën një makinë të një shtetasi nga Kosova, duke terrorizuar të gjithë pjestarët e familjes që ndodheshin në makinë.
Po ashtu, pre e grabitjes nga maskat kanë rënë mjaft biznese dhe pronarë dyqanesh. Të shtunën persona të maskuar dhe të armatosur grabitën një karburant në zonën e Ibës në Tiranë. Maskat kanë arritur të marrin një shumë parash nga pika e karburantit, duke kërcënuar rojen. Autorët mësohet se kanë marrë rreth 250 mijë lekë, disa paketa dhe telefonat e punonjësve dhe më pas janë larguar me një automjet në drejtim të paditur për policinë. Policia ende nuk ka mundur të zbulojë dhe arrestojë autorët.
Para pak ditësh, një tjetër grabitje ndodhi në Korçë ku persona të armatosur u futën në banesën e një biznesmeni dhe arritën të marrin nën kërcënimin e armëve rreth 8 milionë lekë. Edhe në këtë rast autorët janë ende të lirë.

R.POLISI

Artikulli paraprakProkuroria nis hetimet për Bankers Petroleum
Artikulli tjetërPresidenca: Ditmir Bushati gënjen, s’na ka informuar për votimin