Duke filluar nga dita e nesërme, datë 15 Tetor, mbajtja e maskës do të jetë e detyrueshme për t’u mbajtur kudo në ambientet jashtë shtëpisë.
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, ka bërë të ditur se është miratuar dhe “Udhëzuesi mbi përdorimin e detyrueshëm të maskave në ambjentet jashtë shtëpisë”, që paraqet kriteret e përgjithshme, rregullat dhe përjashtimet për përdorimin e barrierave mbrojtëse (maskave) në ambjentet jashtë shtëpisë, me qëllim zvogëlimin e përhapjes së mundshme të COVID-19.
Por përveç rasteve kur maska është e detyrueshme, Fico tregoi edhe rastet kur bëhet përjashtim.
Rastet kur maska nuk është e detyruar
- Në të gjitha rastet kur përdorimi i maskës dëmton shëndetin sipas rekomandimit të mjekut të familjes.
- Nga persona me sëmundje që i bëjnë të paaftë për përdorimin maskës.
- Gjatë ushtrimit të aktiviteteve sportive.
- Nga persona të cilët lëvizin të vetëm me biçikletë, motoçikletë apo monopatinë.
- Kur në makinë është vetëm drejtuesi i mjetit ose persona që kanë lidhje familjare me të
- Në aktivitete që mund të shkaktojnë lagien e maskës, si p.sh. gjatë larjes në pishinë, liqe ose në det.
- Në shtëpi me anëtarët e ngushtë të familjes.
Drejtoresha e ISHP, Albana Fico, në fund të deklaratës së saj ka rikujtuar qytetarët se mbajtja e maskës është e detyrueshme në çdo ambient jashtë shtëpisë dhe mos zbatimi i kësaj masë do të ketë penalitete sipas Aktit Normativ me 3 mijë lekë për shkelësit për herë të parë, dhe 5 mijë lekë për shkelje të përsëritur.