“Sa isha shtrirë të flija, dëgjova zhurmë. Kujtova se po bënin shaka fëmijët duke luajtur. Kur dal nga dhoma shoh dy persona të veshur me rroba të zeza komplet dhe me maska”.
Kjo është dëshmia e kryefamiljarit Gjergj Doçi, i cili mbrëmjen e kaluar është dhunuar nga dy persona që kanë hyrë për të grabitur në banesën e tij në fshatin Spiten. Gruaja e tij 47-vjeçare është në gjendje më të rëndë dhe është dërguar me ambulancë në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Kryefamiljari shprehet se grabitësit i kanë kërkuar lekët dhe pasi i ka thënë që nuk kanë lekë në banesë i kanë goditur bashkë me bashkëshorten.
“Ishin të armatosur njëri me armë, njëri kishte një si hekur. I them unë çfarë bëni kush jeni ju dhe më pas më goditi me hekurin që kishte në dorë. Nuk i njoha se ishin të maskuar.
Doja të çohesha, më goditi prapë. Doli gruaja më pas, e goditën gruan dhe e kanë dëmtuar më shumë te koka.
Më thanë: ”Ku i ke lekët”?
I thashë: ”Nuk kemi lekë, çfarë të kemi merri”.
Thanë që donin lekët dhe ky që kishte armën rrinte gati, tjetri hyri kontrollonte. Kur kanë ikur kanë ikur në këmbë, me çfarë kanë ardhur nuk e di. Morën telefonat dhe lekët, hipën sipër avllisë dhe u larguan”.
Ngjarja ndodhi rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm, 24 maj.