Dy persona të armatosur dhe të maskuar kanë grabitur rreth 75 milionë lekë nga një makinë e cila po transportonte paratë e Drejtorisë së Patentave.
Mësohet se grabitja ka ndodhur rreth orës 16:45 në zonën e Shkozetit, 100 metra para mbikalimit të Unazës së plazhit.
Autorët kanë shfrytëzuar kohën e keqe me shi në një moment kur nuk ka pasur qarkullim rrugor të dendur dhe i kanë ngritur pritë makinës për t’i grabitur paratë.
Mësohet se makina ishte e blinduar dhe pronë e një firme private sigurimi.
Burimet bëjnë të ditur se autorët neutralizuan rojet private dhe pasi morën sasinë e parave u larguan në drejtim të Shijakut.
Policia është vënë në ndjekje të autorëve.
Informacion paraprak
Sot rreth orës 16:50, në lagjen nr. 14 Shkozet, dyshohet se 3 persona me një mjet, nën kërcënimin e armës dhe të maskuar i kanë dalë përpara një mjeti (shoqëri private sigurimi) që po trasportonte lekët e Ndërmarrjes së Drejtorisë Rajonale të Transportit Durrës në një bankë të nivelit të dytë dhe i kanë marrë një shumë parash.
Efektivet e Policisë po punojnë për kapjen e autorëve të dyshuar dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Nuk jepen të dhëna të tjera për arsye hetimi.