Maskat tentojnë të grabisin një argjendari në Shkodër

Një argjendari në qendër të Shkodrës u sulmua nga persona me maska dhe të armatosur. Bëhet e ditur se, autorët kanë shpërthyer murin e berberhanes dhe më pas kanë tentuar të çajnë murin e argjendarisë, por në këtë moment ka rënë alarmi dhe autorët janë larguar me shpejtësi. Kjo pikë e shitjes së floririt është grabitur dhe më parë, ndërsa në asnjë rast autorët nuk janë zbuluar nga policia. Pronari i saj kishte marrë masa, duke instaluar sistemin e sigurisë dhe falë këtij sistemi nuk u arrtit të realizohej grabitja. Policia ende nuk ka identifikuar autorët, por tha se po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Dy ditë më parë, pesë persona tentuan të grabisin një karburant në një pikë furnizimi dhe kanë plagosur administratorin e biznesit. Burime nga policia bënë të ditur se, ngjarja ka ndodhur në një karburant në rrethinat e Klosit. Administratori i subjektit është plagosur me mjete të forta nga dy prej të dyshuarve. Edhe në këtë rast, autorët nuk janë zbuluar nga policia.

Exit mobile version