Maskat terror në Durrës, grabitet një pikë e transfertës së parave

Dy persona të armatosur dhe të maskuar grabitën pikën “Western Union” në Durrës. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm rreth orës 09:00 në lagjen nr.14 në Shkozet, ndërkohë që në dyqan në momentin e ngjarjes ndodhej vetëm një punonjës. Bëhet e ditur se dy persona me kokore në kokë dhe të armatosur janë futur nga dera e pasme në pikën e këmbimit valuator dhe nën kërcënimin e armëve kanë arritur të marrin të gjithë shumën e parave që ndodhej aty.
Sipas burimeve, njëri nga maskat i ka vënë armën në kokë punonjësit të pikës së këmbimit valuator, duke e detyruar që të hapë kasafortën dhe të dorëzojë të gjitha paratë. Pasi kanë marrë paratë, dy grabitësit janë larguar me një motor në drejtim të paditur për policinë.
Punonjësi i pikës së këmbimit valuator ka njoftuar menjëherë policinë, e cila shkoi në vendngjarje, por pa mundur të identifikojë dhe arrestojë autorët. Policia bëri të ditur se, gjatë grabitjes nuk ka patur persona të lënduar, ndërsa nuk saktësoi shumën e parave të grabitura.
Kjo është grabitja e katërt në vetëm pak ditë. Të dielën, një grabitje ndodhi në një banesë në Vlorë dhe në Shkodër, ndërsa të martën një grabitje tjetër ndodhi në Kuçovë, ku mbeti i plagosur edhe pronari i shtëpisë.
Dy persona të maskuar dhe armatosur janë futur në një banesë në qytetin e Kuçovës për të grabitur. Sipas burimeve, ngjarja ndodhi rreth orës 18:00 të mbrëmjes së martë, në lagjen “11 janari” në këtë qytet. Sipas të dhënave paraprake, dy autorët, kanë tentuar të grabisnin banesën në pronësi të shtetasit me iniciale F.SH, i cili për pasojë ka mbetur i plagosur, pasi është përleshur me një nga agresorët. Ka qenë kryefamiljari dhe djali i tij, ai që kanë parë grabitësit me maska, ndërsa i kanë bërë këtyre të fundit rezistencë.
Ndërkohë, në Vlorë tre persona të maskuar dhe të veshur me uniformë të ngjashme me ato të policëve, terrorizuan një familje në qytetin bregdetar. Denoncimi u bë nga familjarja Lida Beqiraj, e cila thotë se ata i dhunuan burrin te shkallët. Ajo ndodhej brenda në banesë bashkë me djalin e saj 8-vjeçar, kur autorët kërkonin me forcë të hapej dera. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Isa Boletini”. Sulmi u bë në shkallët e katit të gjashtë të pallatit ku banonte familja Beqiraj, pranë Teatrit “Petro Marko”. Policia është vënë në dijeni për rastin, por ende nuk ka një të arrestuar për ngjarjen. Sipas burime thuhet se qëllimi i personave të maskuar ka qenë grabitja.
Ndërsa të dielën në Shkodër katër grabitës u futën në banesën e një biznesmeni për të grabitur. Kanë qenë komshinjtë e biznesmmenit që kanë njoftuar policinë, por megjithëse forca të shumta policie kanë shkuar dhe kanë rrethuar banesën, grabitësit kanë arritur të dalin nga banesa dhe të largohen nën hundën e policisë.
Një ditë më parë, kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj reagoi për situatën e rëndë në të cilën ndodhet vendi. Alibeaj deklaroi dje se një valë e paprecedent krimi ka mbërthyer vendin, duke goditur qytetarët në gjënë më të shtrenjtë, sigurinë për jetën dhe për pronën. “Ekzekutim në mes të Tiranës, grabitje me armë në Shkodër, grabitje dhe plagosje të pronarit të shtëpisë në Kuçovë, të gjitha në harkun e disa orëve, janë dëshmitë tronditëse të fuqizimit të krimit dhe rënies së shtetit. Më shqetësuese është lehtësia me të cilën kryhen këto akte të rënda, çka tregon se krimi nuk parandalohet më dhe më keq akoma, reagimi i policisë pas ngjarjes nuk është eficent, kështu që kemi çdo ditë një vrasje më shumë pa autor, çdo ditë një grabitje më shumë pa autorë. Kjo situatë po i nxjerr qytetarët gjithnjë e më të pambrojtur, gjithnjë e me më pak besim tek policia. Por sigurisht nuk është faji i trupës së oficerëve, i burrave dhe grave në uniformë”, tha ai. Situata në vend vazhdon të jetë dramatike, ku krimi po ushtron pushtetin e tij, duke e bërë jetën e qytetarëve të pasigurtë ashtu si edhe pronën e tyre. Brenda kësaj jave kanë ndodhur katër grabitje dhe një vrasje në mes të Tiranës, ndërsa asnjë nga autorët nuk është ndaluar nga policia.

R.POLISI

Exit mobile version