Dy persona të maskuar kanë grabitur një pikë karburanti në Fushë Krujë nën kërcënimin e armëve. Bëhet e ditur se maskat kanë ushtruar dhunë dhe terror ndaj rojes së pikës së karburantit dhe i kanë marrë të gjithë xhiron ditore. Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, rreth orës 04:15 në rrugën nacionale Fushë Krujë-Krujë, në një pikë karburanti.
Njëri nga maskat i ka vënë pistoletën në kokë rojes së karburantit, shtetasit A.B., rreth 42 vjeç. Pasi i kanë marrë 100 mijë lekë maskat janë larguar. Policia bëri të ditur se ka shkuar në vendngjarje dhe po punon për kapjen e autorëve.
Ky është rasti i dytë brenda 24 orëve i grabitjes së pikave të karburantit. Disa ditë më parë, u grabit një pikë karburanti në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Teodor Keko” në Tiranë. Një grabitje me armë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në Tiranë rreth orës 22:45, në Unazë të Re, në një pikë karburanti.
Burime zyrtare bëjnë të ditur se persona të paidentifikuar, nën kërcënimin e armës, në dukje pistoletë, i kanë marrë xhiron ditore punonjësit të karburantit. Më pas, ata janë larguar me motor në drejtim të sheshit “Shqiponja”. Policia shkoi në vendin e ngjarjes dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
“Persona të paidentifikuar kanë marrë xhiron ditore, një shumë prej 17 200 lekësh. Në momentin e grabitjes në pikën e karburantit ka qenë punonjësi E.T., 38 vjeç. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit”, thuhet në njoftimin e policisë. Policia ende nuk ka mundur të zbulojë dhe arrestojë autorët e kësaj ngjarjeje.
Grabitja me maska është kthyer në një tmerr për tregtarët dhe biznesmenët në të gjithë vendin. Përditë kryhen grabitje dhe terrorizohen tregtarë e qytetarë të thjeshtë, ndërsa policia në asnjë rast nuk ka mundur të zbulojë autorët e grabitjeve.
Dy ditë më parë u grabit një argjendari në qendër të Tiranës, vetëm 300 metra larg zyrës së Tahirit, ndërsa autorët janë ende të lirë. Pronari i argjendarisë deklaroi se grabitësit kishin arritur të vjedhin mall me vlerë mbi 500 mijë euro. Vendi ndodhet nën pushtetin e krimit, ndërsa policia nuk është aftë të vendosë rendin dhe sigurinë.