Maskat terror në Maliq, masakrojnë burrë e grua dhe u grabisin paratë

Dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë ushtruar dhunë ndaj një çifti të moshuarish në Maliq të Korçës dhe kanë grabitur një sasi parash në banesën e tyre. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Rov të Maliqit, ku dy personat e maskuar kanë hyrë në shtëpinë e 60-vjeçarit Xh.Z dhe pasi i kanë dhunuar barbarisht u kanë grabitur paratë. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm rreth orës 2:00. Sipas policisë, i zoti i shtëpisë është kërcënuar dhe goditur me sende të forta nga maskat në prezencë të bashkëshortes së tij. Si pasojë e dhunës, ai ka marrë plagë në fytyrë dhe në trup. Pasi kanë marrë një shumë parash, dy maskat janë larguar në drejtim të paditur për policinë.
Nga deklarimet e marra dy bashkëshortëve, të cilët ndodheshin të vetëm në banesë, Policia bëri të ditur se grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve, si edhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. Deri në orët e vona të ditës së djeshme nuk pati asnjë të ndaluar nga Policia për këtë ngjarje.
Ndërkohë, mbrëmjen e të mërkurës, pak para mesnatës ka ndodhur një grabitje me armë në një karburant në Selitë, ku një 20-vjeçar, i maskuar dhe nën kërcënimin e armës ka arritur të marrë paratë e xhiros ditore, rreth 15 mijë lekë të reja dhe është larguar me shpejtësi. Policia ka mbërritur në vendngjarje pas sinjalizimit të marrë, ndërsa po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në të njëjtën ditë u grabit një pikë karburanti në Fushë-Krujë nën kërcënimin e armëve. Maskat kanë ushtruar dhunë dhe terror ndaj rojes së pikës së karburantit dhe i kanë marrë të gjithë xhiron ditore. Njëri nga maskat i ka vënë pistoletën në kokë rojes së karburantit, shtetasit A.B., rreth 42 vjeç. Pasi i kanë marrë 100 mijë lekë maskat janë larguar.

Artikulli paraprakPolicia italiane konferencë për drogën e sekuestruar në Leçe
Artikulli tjetërVrasja e Ardit Gjoklajt në Sharrë është vrasje shtetërore