Maskat kanë ushtruar terror ditën e djeshme në Shkodër dhe Mat, duke grabitur nën kërcënimin e armëve 5 mijë euro dhe një makinë. Katër persona të maskuar sulmuan me armë mëngjesin e djeshëm rreth orës 7:00 banesën e familjes Selimi në fshatin Dobraç të Shkodrës, duke marrë një shumë prej rreth 5 mijë eurosh, ndërsa personat që ndodheshin në banesë kanë mbetur të terrorizuar nga grabitësit.
Familjarët bënë të ditur se, grabitësit hynë në oborr të maskuar dhe të armatosur. Fillimisht, ata nën kërcënimin e armëve shtrinë në tokë bashkëshorten e Anton Selimit. E goditën me qytë automatiku pas koke. Më pas u futën në shtëpi dhe terrorizuan gjithë familjen, duke kërkuar ku janë fshehur paratë. Njëra nga nuset u ka tregur sirtarin, të cilët ata e thyen me leva. Pasi morën 5 mijë euro u larguan me shpejtësi me një makinë tip “Alfa Romeo” ngjyrë gri, e cila qëndronte ndezur në rrugicë. Ata mundën të dilnin nga fshati Dobraç i Shkodrës mes makinave të tjera të prindërve që po çonin fëmijët në shkollë. Policia ende nuk ka një të dyshuar për ngjarjen, por disa persona u shoqëruan për t’u pyetur.
Në momentin që 3 grabitësit kanë hyrë në shtëpi, njëri nga ata ka qëndruar në automjet, i cili gjatë gjithë kohës ka qenë i ndezur, E zonja e shtëpisë ka njoftuar njërin nga djemtë për ngjarjen, i cili është sulur menjëherë me automjetin e tij për të shkuar tek shtëpia dhe pak pa mbërritur, grabitësit janë futur në autokolonë me mjete të tjera të banorëve të zonës, të cilët po dërgonin fëmijët në shkollë. Ende nuk ka një të dyshuar rreth kësaj ngjarjeje. Kjo është grabitja e katërt me armë brenda këtij viti në zonën e Dobraçit të ri në Shkodër. Edhe në rastet e tjera, grabitjet kanë ndodhur rreth orës 7:00 të mëngjësit.
Po ditën e djeshme, persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti ku po udhëtonte i vetëm një 42-vjeçar nga Mirdita, por me banim në Tiranë. Ngjarja ndodhi rreth orës 10:55 në fshatin Bruç, në kufi me Mirditën. Maskat i kanë zënë pritë makinës dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të saj, duke e detyruar shoferin të ndalojë. Maskat kanë marrë makinën dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të paditur për policinë.