Maskat terror në Tiranë dhe Laç, gabisin 25 milionë lekë

Vendi ndodhet nën pushtetin e bandave dhe të maskave. Vetëm ditën e djeshme u vra një person në qytetin e Vlorës dhe një tjetër u plagos në kryeqytet, ndërsa maskat kryen dy grabitje nën kërcënimin e armëve në Tiranë dhe në Laç. Bëhet e ditur se në orët e para të mëngjesit të djeshëm tre persona të armatosur dhe me maska kanë sulmuar me levë një qytetar në qytetin e Laçit dhe i kanë marrë 15 milionë lekë. Burime nga policia lokale thanë se, ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 02:00 të mëngjesit. Sipas policisë është sulmuar me levë dhe më pas i janë marrë lekët 46-vjeçarit me inicialet A. P.
Policia bëri të ditur se, 46-vjeçari është goditur me levë në kokë sapo ka dalë nga lokali, loto sport dhe i janë marrë 1.5 milionë lekë të reja. Ai është dërguar në spital dhe ndodhet në kujdesin e mjekëve. Burime nga policia thanë se, kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet, për të sqaruar rrethanat se si ka ndodhur grabitja. Ende nuk është bërë e mundur nga policia identifikimi dhe kapja e autorëve.
Po ditën e djeshme, dy persona të armatosur dhe të maskuar grabitën 10 milionë lekë në një biznes privat në Tiranë. Sipas burimeve të policisë, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në autostradën Durrës-Tiranë në një firmë private. Sipas informacioneve zyrtare më datë 04.05.2017, rreth orës 05:45, në autostradën Durrës-Tiranë, tek një firmë private, nga pjesa e pasme e saj, duke mos u diktuar nga rojet e sigurisë, kanë hyrë dy shtetas të pa identifikuar, të cilët kanë hapur kasafortën dhe në brendësi të cilës kanë marrë rreth 1.000.000 lekë, (10 milionë lekë të vjetra), si dhe sistemin e regjistrimit të kamerave të sigurisë.
Policia është njoftuar nga rojet dhe ka shkuar në vendngjarje, por grabitësit ishin larguar në drejtim të paditur. Rojet kanë deklaruar në polici se kanë qenë në gjumë, por kur janë zgjuar kanë vërejtur se ishin marrë kamerat e sigurisë dhe më pas zbuluan edhe grabitjen e parave. Policia edhe në kërtë rast nuk ka mundur të zbulojë dhe arrestojë autorët.
Maskat janë kthyer në një tmerr për qytetarët dhe biznesmenët në të gjithë vendin. Dy ditë më parë, maskat grabitën rreth 100 milionë lekë në një banesë në Memaliaj. Policia bëri të ditur se, grabitja ndodhi në banesën e shtetasit Anesti K. janë vjedhur një shumë e madhe parash nga persona të panjohur për policinë. Sipas burimeve, autorët kanë arritur të hyjnë në banesë përmes derës kryesore dhe më pas kanë marrë rreth 55 milionë lekë të vjetra dhe 35 mijë euro, në total 100 mln lekë. Bëhet e ditur se grabitësit kanë qenë të maskuar dhe të armatosur. Nuk dihet nëse ata janë përleshur me të zotin e shtëpisë, por pasi kanë marrë paratë, janë larguar në drejtim të paditur për policinë.
Ndërkohë, të shtunën u grabit banesa e një kambisti në Maliq të Korçës. Nga hetimet paraprake dyshohet se, grabitësit kanë arritur të marrin rreth 3 milionë lekë. Zonja e shtëpisë është ndeshur me grabitësit në oborr, kur i ka kapur duke nxjerrë plaçkat jashtë. “Kur u ktheva në shtëpi, pashë në oborr tre persona. Ata ishin të maskuar dhe të armatosur. Policë s’kishte. Hajdutët i pashë me televizor në dorë. Ishin të rinj. Njërit prej tyre i ra arma nga dora. Po nuk vuri dorë shteti, do të vë vetë, se është hera e dytë që më vjedhin shtëpinë”, tha bashkëshortja e kambistit. Ndërsa, kambisti Vilson Mara, kërkoi ndihmën e policisë, duke telefonuar nr.129, por numri dilte i padisponueshëm. Sipas tij, edhe disa orë pas grabitjes, ky numër vijonte të ishte i padisponueshëm. Megjithëse kanë kaluar pesë ditë nga grabitja, policia ende nuk ka arritur të zbulojë autorët.

R.POLISI

Artikulli paraprakI moshuari tenton të vetëvritet para AKP-së: Më ktheni pronat
Artikulli tjetërZgjidhje politike për krizën e zgjedhjeve