Të maskuar dhe me armë disa persona sulmuan një shtëpi në Donofrosë të Urës Vajgurore. Aty ndodheshin vetëm çifti Osmën dhe Drita Baxhia. Bëhet e ditur se, maskat sapo kanë hyrë brenda kanë kërkuar njërin nga djemtë e çiftit që sapo ishte kthyer nga Anglia. Burrë e grua u qëlluan me tytën e armës. Ata kërkuan në çdo ambjent të shtëpisë, por dhe pse aty kishte para nuk i kanë prekur. Me vete morën vetëm dy celularë që gjetën në kuzhinë. Ngjarja ka ndodhur në kohën, kur në fshat është ndërprerë energjia elektrike. Banorët tregojnë se, çifti Baxhia ka dy djem emigrantë në Angli dhe njëri i sapokthyer nuk ndodhej për momentin në shtëpi.
Pas njoftimit të marrë, në vendngjarje shkuan forca të shumta policie, të cilët kanë ngritur pika kontrolli në të gjithë zonën. Dyshohet se maskat duhet të kenë patur ndonjë konflikt me djemtë e familjes Baxhia, megjithatë akoma nuk janë sqaruar rrethanat e sakta.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:15, disa persona të maskuar kanë hyrë në banesën e shtetasit O.B., 57 vjeç. Ky i fundit dhe bashkëshortja e tij shtetasja D.B, 55 vjeçe, janë dhunuar nga grabitësit me sende të forta. Ata kishin dëmtime të lehta në pjesën e kokës dhe fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetim.
Policia ka marrë në pyetje çiftin, i cili ka thënë se disa persona të maskuar dyshohet të armatosur kanë hyrë në banesën e tyre. Pasi kanë hyrë në banesë janë konfliktuar me çiftin, duke e goditur shtetasin O.B në kokë me qytë të armës. Bashkëshortja e tij ka ndërhyrë, ku dhe kjo ka pësuar dëmtime të lehta. Shtetasit ende të pa identifikuar kanë kontrolluar banesën, ku kanë marrë dy aparate celular dhe janë larguar menjëherë.