Maskat terror në Vlorë, i moshuari: Na torturuan dhe grabitën lekët në banesë

Tre persona të maskuar dhe të armatosur janë futur në një banesë në Vlorë dhe pasi kanë ushtruar dhunë e terror ndaj një çifti të moshuarish kanë grabitur një shumë parash dhe sende me vlerë. Ngjarja ka ndodhur mesnatën e të hënës në lagjen “1 Maji” të qytetit të Vlorës. Dy të moshuarit jetonin vetëm në shtëpi dhe në mes të natës, ata janë përballur me dhunën dhe terrorin e maskave. Nën kërcënimin e armëve, ata i kanë marrë një sasi parash dhe disa bizhuteri 81-vjeçarit Resmi Osmenaj dhe bashkëshortes së tij 75-vjeçare, Sanije Osmenaj. Ai ka rrëfyer në polici se dy persona të maskuar iu drejtuan armët dhe u thonin mos lëvizni se do ju vrasim. Ata kanë goditur të moshurin me qytën e pistoletës, ndërsa bashkëshorten e tij e shtynin dhe e kërcënonin. Pastaj kanë kërkuar paratë. I moshuari i ka treguar se kishte vetëm paratë e pensionit. Pasi i morën paratë shkuan andej nga dollapi gjetën edhe ca lekë andej. Ne e dimë ç’kemi hequr. Gruan e goditën, mua më shtynë. Kjo bërtiste.
Më pas, grabitësit janë larguar me shpejtësi, ndërsa i zoti i shtëpisë ka njoftuar menjëherë policinë. 81-vjeçari i ka thënë policisë se në shtëpinë e tij në lagjen “1 Maji” kanë hyrë tre persona dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit kanë marrë në banesë një shumë parash, disa sende të ndryshme si varëse dhe dy aparate celularë.
Dy të moshuarit nga Vlora kanë rrëfyer momentet e tmerrit, kur 3 persona i dhunuan dhe më pas i grabitën. Resmi Osmenaj, pronari i shtëpisë, një i moshuar i sëmurë me paralizë, ka rrëfyer terrorin e përjetuar nga grabitësit në banesë gjatë natës. Ai rrëfen se hajdutët ishin të armatosur dhe i kishin rënë ziles së shtëpisë dhe momentin kur gruaja e tij e ka hapur derën, ata e kanë goditur.
“Mbrëmë natën i ranë ziles së derës. Unë i thashë gruas mos e hap derën, se në fakt dy pleq ishim, djemtë i kam në Itali. Ngrihet gruaja hap derën. Sapo hap derën ishin dy veta aty, njëri me automatik dhe njëri me levë të gjatë dhe i ra në fytyrë gruas. Ajo ulëriti dhe ra përtokë. U ngrita unë, siç isha i sëmurë, erdhi njëri më shtyu e më hodhi prap në krevat. Bënë kontroll, nuk lanë vend pa kontrolluar, i hodhën të gjitha të tokë”, u shpreh Resmi Osmenaj.
Resmiu u shpreh se grabitësit ishin me maska, dy i torturonin brenda, ndërsa autorët e tjerë ishin jashtë dhe se kishin ardhur vetëm për të marrë lekë. “Na thanë kemi ardhur vetëm për lekët, s’duam gjë. Kishim rreth 200 mijë lekë të pensionit dhe na i morën. I hoqën varësen gruas edhe një unazë. Dy persona ishin që na torturonin. Ndërsa jashtë ishte njëri që na ruante. Ishin 3 ose 4 grabitës. Më morën telefonat dhe nuk kisha me çfarë të merrja në telefon policinë. Kisha një telefon të vogël që e vura në karikim për t’i lajmëruar”, tha ai.
Ai ndjehet i frikësuar dhe është kërcënuar nga grabitësit se nëse lajmëron policinë do t’i vrasin. “Na kanë thënë mos merrni policinë, sepse nëse e merrni do të vijmë t’ju zhdukim, do t’ju vrasim dhe mos dilni nga dera pa ikur neve. Jemi të frikësuar, pasi na u futën në shtëpi. Policia duhet t’i zbulojë”, përfundoi i moshuari.

Exit mobile version