Shtëpia e kryeplakut të fshatit Komsi në Mat është sulmuar me breshëri automatiku mbrëmjen e së hënës. Policia e Matit bëri të ditur se, shtëpia e shtetasit A.B, 64 vjeç, banues në fshatin Komsi është qëlluar 15 herë me armë zjarri automatik nga një distancë 50 metra. Nga ngjarja nuk ka të lënduar, ndërsa dëmet nga të shtënat janë të vogla. Në njërën nga dhomat e banesës është thyer xhami i jashtëm i dritares, dhe në pjesën e jashtme të banesës ka disa vrima të shkaktuara nga predhat e qitura.
Grupi hetimor ka mbledhur dhe sekuestruar në vendngjarje 15 gëzhoja dhe ka identifikuar autorin e dyshuar të ngjarjes si A.GJ, 26 vjeç, me precedent të mëparshëm kriminal. Autori i dyshuar është shpallur në kërkim. Policia thotë se, paraprakisht dyshohet se shkaku është për motive të dobëta, teksa nuk ka informacione nëse ngjarja ka lidhje me detyrën e të dëmtuarit si kryeplak.