Matiç, alternativa e re e Interit

Alternativa e re për mesfushën e Interit është Nemanja Matiç. Drejtuesit e klubit zikaltër, prej kohësh kanë nisur punën e tyre në transferimin e elementëve cilësorë në radhët e skuadrës, në mënyrë që tekniku i tyre, Luciano Spalleti të ketë në dispozicion një organikë të plotë dhe të denjë në luftën për titull kampion edhe pse ende goditja e madhe nuk ka ardhur. Sidoqoftë, mesfushori i Chelsea-t, Nemanja Matiç ka një kontratë me “Blutë e Londrës” që skadon më 2019. Përflitej se e ardhmja e tij do të ishte tek Man.United, por ardhja e Lukakut tek “Djajtë e Kuq” nuk i ka pëlqyer manjatit rus të kampionëve të Anglisë, Roman Abramovich dhe nisur nga kjo mes këtyre dy klubeve, vështirë se mund të flitet për transferime futbollistësh nga njëri klub në tjetrin.
Chelsea është i gatshëm ta lejojë largimin e Matiç, por që një gjë e tillë të ndodhë, Interit i duhet të paguajë 40 milionë euro, shumë të cilën zikaltrit e konsiderojnë si të lartë. Profili i futbollistit serb është ideali për skemat e Spalletit dhe duket se janë shumë të vendosur për të siguruar shërbimet e tij në një formë ose në një tjetër. Ardhja e Bakayoko tek Chelsea, i ngushton hapësirat mesfushorit dhe ai nuk është më zgjedhja e parë e teknikut të kampionëve të Anglisë, Antonio Conte. Pritet që mes palëve të ketë një takim nga ku do të tentohet të gjendet gjuha e përbashkët për një ulje të shumës së kërkuar. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë fokusi do të kalojë tek futbollisti i Sevillias, N’Zonzi.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërValero nënshkruan për Interin