Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, shkoi në një vizitë të paparalajmëruar në Afganistan, për të diskutuar situatën e sigurisë me udhëheqësit politikë e ushtarakë.
Sekretari Mattis pritet të takojë gjeneralin amerikan, John Nicholson, që komandon trupat ndërkombëtare në Afganistan, si dhe presidentin afgan, Ashraf Ghani dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Vizita e tij pason sulmin e dhjetë militantëve talebanë që vranë të paktën 140 veta në sulmin më vdekjeprurës të kryengritësve në një bazë ushtarake afgane në 16 vjet.
Militantët ishin veshur si ushtarë afganë kur hynë në shtabin rajonal të Armatës Kombëtare afgane në Mazar-i-Sharif, kryeqyteti i krahinës Balkh.
Gjenerali Mohammad Radmanesh, zëdhënës në Ministrinë afgane të Mbrojtjes, tha se militantët ishin lejuar të hynin në bazë pa kontrollet e duhura, ndërsa po luteshin për kujdes të shpejtë ndaj një personi në makinën e tyre që ishte i mbuluar nga gjaku.
Talebanët e morën përsipër përgjegjësinë duke thënë se ai ishte një sulm hakmarrës për vrasjen e kryetarëve talebanë në hije të krahinave Kunduz dhe Baghlan.
Qeveria afgane është duke hetuar incidentin.
Vizita e sekretarit Mattis po ndodh në një periudhë kur afganët po presin që presidenti Ghani të shpallë një plan katërvjeçar të sigurisë, gjatë javëve në vazhdim.
Zyrtarët afganë dhe amerikanë thanë se sekretari Mattis do ta diskutojë planin me udhëheqësit afganë gjatë qëndrimit në Kabul.
Pjesë të mundshme të planit përfshijnë edhe 200 helikopterë amerikanë dhe fluturake të tjera ushtarake për forcat afgane, si dhe dyfishimin e forcave të posaçme afgane, thanë zyrtarë vendas e amerikanë të afërt me diskutimet.
Sidoqoftë, një zyrtar amerikan i tha “Zërit të Amerikës” të hënën se Pentagoni ende po punon me Kongresin dhe Shtëpinë e Bardhë për të forcuar politikën e re të administratës ndaj Afganistanit, si dhe përkushtimin financiar, para se të merren vendime rreth planit.