Skema e Ramës për t’i kaluar maturantët tek privati

Dhjetëra maturantë protestuan të mërkurën paradite përpara godinës së Kryeministrisë për caktimin e të drejtës së tyre të studimit. Shqetësimi i tyre kryesor është se Ministria e Arsimit ka caktuar që shumë prej tyre të studiojnë në universitetet private, duke njehsuar krejtësisht universitetet publike me ato private. Skandali në fjalë erdhi si rrjedhojë e skemës së paracaktuar nga Rama dhe klientela e tij për të detyruar maturantët të rregjistroheshin në universitete private duke iu djegur mundësinë e studimit në universitetet publike pavarësisht nëse arrinin rezultate optimale në testet e zhvilluara për konkurrimin për ndjekjen e studimeve të larta.  Këtë skemë e ka denoncuar dje edhe ish-kryeministri Berisha, i cili përmes një postimi në Facebook shprehet: “Nisin protestat kundër qeverisë anti-shkollim! Mijëra studentë protestuan me orë të tëra para kryeministrisë për shkollimin universitar të mohuar me ligj antikushtetues nga dyshja famzeze Edvin -Lindita! Kjo dyshe ka shitur kuotat e universiteteve publike duke mbyllur dyert e tyre edhe për maturantë që kanë mesataren mbi 9 apo 9.5 dhe detyruar maturantët të regjistrohen në universitetet private, duke ndarë me pronarët e tyre 40% të vlerës së tarifës që çdo student paguan për regjistrimin tij. Për këtë qëllim, ata që u zotuan se do mbyllin universitetet private kanë rritur, siç do të pohonte Lindita, mbi 2.3 herë kuotat për këto universitete këtë vit?! Ky është vetëm fillimi i pasojave shkatërimtare të antireformës në arsim të piktorit dështak. Protestat që filluan janë vendimtare për të garantuar anullimin e ligjit anti-shkollim të arsimit të lartë dhe hapjen e dyerve të universiteteve për ata që mësojnë” shkruan Berisha.

Revolta e studentëve, Fuga: Kjo që po ndodh është një maskarallëk

Studentët shprehën pakënaqësi me kriteret dhe mënyrën e llogaritjes së pikëve për t’u pranuar në universitete dhe kërkuan rillogaritjen e tyre.
Nxënësit u shprehën se nuk janë informuar, nuk janë këshilluar dhe nuk u është dhënë asnjë sqarim mbi mënyrën e aplikimit dhe përzgjedhjes së programit të studimit. Si rezultat, shumë prej tyre kanë bërë gjatë viteve të studimit zgjedhje pa ditur se rregullat e lojës do të ndryshonin më vonë.
Kriteret për pranim për në sistemin universitar janë marrë pas përfundimit të studimeve. Kështu Vendimi i Këshillit të Ministrave që cakton notën mesatare minimale për të drejtën e konkurimit është miratuar në qershor të 2016, kur shkolla kishte mbaruar.
Ajo që ka ndodhur me maturantët është thelbi i mënyrës se si i promovon dhe i realizon reformat qeveria e Rilindjes.
Kur u shtrua si domosdoshmëri Reforma në Arsimin e Lartë, ajo u propagandua me terma bombastikë.
Duke e paraqitur situatën në të cilën e gjetën arsimin si tragjike, madje deri në ‘tradhti kombëtare’, Kryeministri Rama kërkoi të krijonte bindjen se vetëm ai mund ta shpëtonte “Shqipërinë e gjeneratës tjetër”.
Sa më të shumta ishin epitetet tragjike ndaj gjendjes në të cilën ndodhej arsimi, aq më i madh do të ishte edhe roli i Shpëtimtarit.
Por si u hartua reforma?
Pedagogë dhe drejtues të universiteteve janë ankuar më se një herë se Ligji për Arsimin e Lartë nuk ishte konsultuar me ta, se shkelte parimet e lirisë akademike, se krijonte klimë favorizuese për universitetet private, por askush nuk ua vuri veshin.
Jo vetëm kaq. Ligjet u bënë në mënyrë kaotike dhe pa llogaritur se një akt ligjor nuk mund të zëvendësojë një tjetër pa shfuqizuar të parin dhe se nuk mund të hyjë në veprim pa aktet nënligjore që e bëjnë të zbatueshëm.
Eksperti për arsimin e lartë, Fatmir Vejsiu, ka marrë në shqyrtim vetëm njërin prej aspekteve të mënyrës se si maturantët po penalizohen nga ky kaos:
Maturanti i renditur i 620 që ka patur mesatare 9.19 ka humbur me shumë se sa 25% të pikëve, sepse në shtator 2015, ai nuk e dinte që në janar 2016 do dilte një vendim i Senatit të Universitetit të Tiranës ku do thuhej që kandidatët për këtë degë duhet të kenë zgjedhur si lëndë preferenciale domosdoshmërisht edhe Sociologjinë edhe Filozofinë edhe Psikologjinë edhe Histori Arti edhe Histori Muzike. Senati paska përcaktuar si lëndë të parë preferenciale Historinë e Artit. Harrojnë se ajo zhvillohet kur shkolla nuk mundëson realizimin e lëndës ARTE dhe për këtë maturanti penalizohet me 5% të pikëve?! Sa turp!”
Pra, u kërkohet maturantëve të zgjedhin një lëndë në mes të vitit shkollor (!)
Ndërsa Profesor Artan Fuga sqaron se maturantët nuk kanë patur mundësi as të kuptojnë se çfarë po zgjedhin për të studiuar në shkollat e larta.
Dhe e dini përse? Sepse ky ligji ende në fuqi e që duhet shfuqizuar sa më parë, regjistrimet nuk ua lejon universiteteve, por ka krijuar gjoja agjenci regjistrimesh të përqendruar pranë ministrisë, që ju mori lekët dhe nuk ju dha shërbimin. Dhe flasin pastaj për autonomi universitare, ndërkohë që nuk u lejojnë universiteteve të marrin kontakt me kandidatët”.
Por, sipas Profesor Fugës, regjistrimi në universitete është vetëm hapi i parë me përballjen me ‘Reformën në Arsim’.
Prisni, prisni se do të shihni se çfarë maskarallëqesh të tjera e mbrapshtirash ka bërë ky ligj”.
Dhe vërtet, që tani situata duket kaotike.
Si po e përballon ministrja e Arsimit këtë shqetësim të dhjetëra mijëra familjeve shqiptare?
Lindita Nikolla rekomandon që mijëra studentë të përplasen me universitetet për t’u ankuar dhe njëkohësisht i qetëson: Nëse nuk mjaftojnë kuotat e universiteteve publike, janë edhe 10 mijë vende në universitetet private.

Exit mobile version