Maturantët sot në protestë masive

Maturantët pritet të përfshihen sot në një tjetër protestë masive kundër qeverisë pasi faza e dytë e shpalljes së fituesve për ndjekjen e studimeve të larta ka penalizuar sërish mijëra prej tyre.  Pas ngritjes së studentëve në protestë pas fazës së parë, përfaqësuesit e qeverisë u thanë: “Prisni të shihni fazën e dytë!”. Tashmë që janë shpallur edhe fituesit e fazës së dytë sërish një pjesë e madhe e studentëve kanë mbetur pa fituar një universitet.
Në një njoftim të shpërndarë për mediat ata thonë se, sot paradite organizohet një protestë përpara Kryeministrisë me kërkesën e ndreqjes së menjëhershme të problematikës që ka lënë pa shkollë të lartë pjesën më të madhe të maturantëve të Maturës 2015-2016. “Duke shpresuar në mbulimin mediatik tuajin, urojmë që ju të bëheni zëri ynë deri në plotësimin e kërkesave tona”, thuhet në një njoftim që bën edhe një konstatim të rëndësishëm. “Për ne është shumë e rëndësishme kontakti i drejtpërdrejtë me ju edhe për shkak të disa përpjekjeve të qeverisë për të prishur dhe sabotuar protestën tonë”, thotë njoftimi.
Pas shpalljes së fituesve të fazës së dytë për në universitete, Ministria e Arsimit përmes një udhëzimi thotë se regjistrimet në këtë fazë do të bëhen nga datat 13 deri më 16 tetor. Por ndërkohë nëse shikon kalendarin 15 dhe 16 janë ditë e shtunë dhe e dielë. A do të jenë hapur institucionet e arsimit të lartë për t’u bërë regjistrimet? Nëse po, sërish ka një pyetje që mundon maturantët: Po bankat e nivelit të dytë a punojnë në fundjavë? Normalisht që jo. Nuk dihet se si është menduar të zgjidhet ky ngërç. Këtë vit akademik pati një kolaps me shpalljen e fituesve për në universitet për shkak të aplikimit të një sistemi të ri. Edhe pse ministrja e Arsimit dhe Kryeministri Rama premtuan që nuk do të mbeteshin maturantë pa shkollë sepse kishte kuota të shtuara, sërish në fazën e dytë rezultoi që nxënës me mesatare mbi 9 nuk kanë fituar asnjë program studimi.
Procesi i maturës shtetërore këtë vit ka pësuar disa ndryshime që kanë të bëjnë jo vetëm me procesin e përzgjedhjes së fituesve, por edhe me aplikimin në sistemin online. Kjo do të thotë që, nëse vitin e kaluar tek formulari A1 aplikohej vetëm për universitetet publike tashmë në këtë aplikim përfshihen edhe universitetet private. Me ligjin e ri të Arsimit të Lartë, në kuadër të autonomisë kriteret do t’i vendosin universitetet. Këto të fundit nuk kanë një formulë të njëjtë për pranimet pasi një universitet mund t’i japë mesatares 50% dikush tjetër 30% etj. Në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit thuhej që në datën 29 korrik niste procesi i hedhjes së notave mesatare në sistem. Nga data 29 e deri në ditën e aplikimit, sipas kalendarit për qark a qytet, për të gjithë maturantët do të hidhej nota mesatare në sistem.
Nëse vitin e kaluar, kishte shumë rëndësi përzgjedhja për 10 preferencat, por sidomos renditja e tyre, sivjet nuk kishte përzgjedhje sipas preferencave të para. Këtë vit, në rast se një maturant e gjen emrin mbi vijën e kuqe, në disa degë njëherësh, ai e merr vendimin vetë për njërën prej tyre. Pra, nuk ka rëndësi renditja e degëve. Ndërkohë, raundi i dytë rinis nga e para. Kur një maturant e sheh që nuk ka fituar në asnjë degë, bën renditjen e re për të fituar universitetin. Nota mesatare për pranim në institucionet e arsimit të lartë, përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e treguesve të mëposhtëm: Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë dhe mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore. Kjo lloj formule solli një amulli totale në radhët e maturantëve që prisnin të vijonin ëndrrën e tyre për të ndjekur studimet e larta.

Artikulli paraprakMbjellja e kanabisit në 2016, 5 fish më e lartë
Artikulli tjetër55 kg kanabis në shtëpinë e kushërinjve të deputetit të PS, policia fshehu ngjarjen