Maturantët, sot ora 11:00 rrethojnë Kryeministrinë

Maturantët që nuk kanë mundur të përfitojnë një të drejtë studimi në universitetet publike ndonëse me mesatare mbi 9, do të protestojnë sot në orën 11:00 përpara Kryeministrisë. Nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale, organizatorët e protestës së maturantëve sqarojnë se, pavarësisht thirrjeve për qetësi, Kryeministri dhe Ministria e Arsimit jo vetëm nuk japin asnjë shpjegim të qëndrueshëm logjik, por edhe shpërfillin me arrogancë shqetësimet e maturantëve!
“Arsyetimi se me fazën e dytë të konkurimit për të drejtën e ndjekjes së studimeve në universitet do t’u jepet zgjidhje tërë pikëpyetjeve, panikut dhe penalizimit të maturantëve, nuk qëndron. Aktualisht, sistemi arsimor ka rënë në kaos dhe katastrofa e krijuar nuk kërkon fjalë, por veprim të menjëhershëm. Prandaj, ne maturantët, dalim në protestë para Kryeministrisë, më të shumtë se asnjëherë tjetër. Siguria e vetme se, djersa dhe e drejta jonë për t’u arsimuar nuk do të shkelet me këmbë, nuk janë fjalët e dyshimta të Lindita Nikollës dhe Edi Ramës, por bashkimi ynë në rrugë, me protestë: maturantë dhe studentë, prindër dhe qytetarë, për t’i detyruar që të përmbushin kërkesat tona. Sot, se nesër është vonë”, thuhet në njoftimin e maturantëve organizatorë të protestës.
“Protesta e nesërme nuk është thjesht protesta e radhës, por garancia që nuk do të mbeteni pa shkollë. Prandaj ftoj çdo maturant e student të ngrihet. Ose sakrifiko orën e kafes, gjumit dhe kotësisë, ose sakrifiko të ardhmen tënde. Të drejtat nuk t’i fal njeri, ato fitohen. Një liri e falur nuk është veçse robëri e fshehur. Nëse nuk ngrihesh për të kërkuar të drejtën e mohuar, dhe sidomos kur je në Tiranë, atëherë ske përse të ankohesh për çudirat e radhës. Të mos mbahemi mend si brez pokemonash, por si brez që arriti diçka”, shprehet në një postim në rrjetet sociale aktivisti Klodi Leka.
Sipas maturantëve, ndryshimi i rregullave në fund bëhet me qëllim favorizimin e universiteteve private. “Dëgjova që edhe znj. Malaj, e ka kuptuar budallallëkun e procedurës së regjistrimit, dhe sikur tha që mund të thjeshtohej në raundin e dytë. Dakord, por problemi themelor i kësaj mature është merita dhe preferenca. Shikoni pak një shembull konkret se sa i papjekur është treguar Senati i UT në vendosjen e kritereve të pranimit. Por akoma më i papjekur është treguar MAS, ku punon edhe znj. Malaj, në shpalljen e miratimin e kësaj formule pranimi në përfundim të maturës, dhe jo në fillim të saj”, shprehet një tjetër maturant.
Maturantët protestuan para pak ditësh përpara Kryeministrisë, por pa gjetur asnjë zgjidhje për pranimin në universitete. Po ashtu, qindra maturantë të mbështetur edhe nga prindërit protestuan të enjten edhe para Parlamentit, duke tentuar që të bllokojnë hyrjen e këtij institucioni për deputetët. Ata u mblodhën para ambienteve të Parlamentit, ku kërkuan ndryshimin e formulës së pranimit, e cila sipas tyre ka lënë jashtë ata me mesatare të lartë. Në një moment, tubimi i maturantëve është tensionuar, kur ata kanë tentuar të hyjnë në Kuvend, çka ka sjellë reagimin e menjëhershëm të policisë, që ka ndërhyrë për largimin e tyre nga perimetri i sigurisë.
Sipas maturantëve, ndryshimi i rregullave në fund bëhet me qëllim favorizimin e universiteteve private. Nga ana tjetër, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla deklaroi se, maturantët duhet të presin listat përfundimtare, të cilat dalin më 20 shtator.
Maturantët që nuk e kanë gjetur veten në listat fituese thonë se, mesatarja që ishte kriteri kryesor i vendosur nga institucionet e Arsimit të Lartë për t’u pranuar në auditore nuk është marrë parasysh, pasi jashtë listave thonë ata kanë mbetur studentë me rezultate shumë të larta dhe mesatare gati në 10.
“Ata që kanë nota të mira nuk janë shpallur fitues. Kjo amulli është bërë që studentët të shkojnë drejt privatit, duke bërë korrupsion”, tha një nga maturantët. Ndërsa një tjetër u shpreh: “Ne nuk ndalim protestat, kërkojmë rikthimin e sistemit të mëparshëm, nuk jemi të përgatitur me këtë lloj sistemi për pranimin në universitet”.
Maturantët që nuk e kanë gjetur veten në listat fituese thonë se, mesatarja që ishte kriteri kryesor i vendosur nga institucionet e Arsimit të Lartë për t’u pranuar në auditore nuk është marrë parasysh, pasi jashtë listave thonë ata kanë mbetur studentë me rezultate shumë të larta dhe mesatare nga 9 deri në 10.

R.POLISI

Exit mobile version