Mavraj: “Jemi shqiptarë, ndaj Izraelit fitojmë 1-0”

Përkrah trajnerit Christian Panucci, në konferencën për mediat, kapiteni i zgjedhur i kuqezinjve, Mërgim Mavraj, ka folur në prag të sfidës në transfertë ndaj Izraelit, e vlefshme për takimin e tretë të grupeve për Ligën e Kombeve. Në një linjë me teknikun italian të kuqezinjve, edhe kapiteni Mavraj mendon se Shqipëria vjen me moral dhe vetëbesim të lartë në këtë sfidë, por ndryshe nga Panucci që mendon vetëm të ndalë vendasit, mbrojtësi veteran beson te një fitore minimale.
“Besoj se jam gati për të luajtur dhe jo vetëm, por për të kontribuar për skuadrën. Besoj se Izraeli ka ndryshu shumë nga ndeshja e një viti e gjysmë më parë, nga ajo e para pak kohësh e luajtur në Shqipëri. Normalisht janë më të fortë dhe vijnë me një moral mjaft të madh sidomos pas fitores ndaj Skocisë. Gjithsesi ne vijmë me vetëbesim të lartë dhe mendoj se mund ta fitojmë edhe këtë ndeshje. 1-0 do të ishte shumë mirë, me zero do të ishte shumë mirë. Ne jemi Shqiptarë dhe vetëbesimin e kemi nga natyra jonë. Stërvitja që kemi bërë na mjafton”, deklaroi ndër të tjera kapiteni i Shqipërisë, Mërgim Mavraj.
Panucci: “E vështirë ndaj Izraelit të fortë”
Shqipëria do të diskutojë të dielën takimin e tretë të vlefshëm për grupin 1 të Ligës C në kompeticionin më të ri, atë të Ligës së Kombeve, ku do të përballet në transfertë ndaj Izraelit. Pikërisht në vigjilje të sfidës, trajneri i Shqipërisë, Christian Panucci, ka dalë këtë të shtunë përballë medieve në konferencën e fundit, i shoqëruar nga kapiteni kuqezi, Mërgim Mavraj.

Një grup shumë i ekuilibruar, me të tre ekipet në të njëjtën kuotë pikësh, 3 në dy ndeshje, por me Shqipërinë që renditet në vend të tretë, për shkak të golavarazhit më negativ. Ndryshe nga intervistat dhe konferencat e fundit të italianit, këtë herë ai ka ditur të administrojë me profesionalizëm tensionin, madje duke shtuar edhe nota humori në fund të fjalës së tij.
“Jam optimist sepse kam parë ekipin duke u stërvitur këtë javë dhe ka qenë një nga javët më të mira. Morali është shumë i lartë dhe përgatitjet kanë shkuar mirë. Unë e mbështes punën tek ekipi ynë dhe jo tek lodhja e kundërshtarit. Bazuar në atë që kam parë në ndeshjen e Izraelit ndaj Skocisë, kam përzgjedhur formacionin tonë dhe kam të qartë idenë se si do të luajmë. Në fushë do të jenë edhe disa nga futbollistët që luajtën në miqësore. Gjithsesi, formacionin zyrtar do ta zbulojmë plotësisht nesër në fushë”, u shpreh tekniku Panucci në konferencën e fundit për mediat të dhënë para sfidës ndaj Izraelit.
“Ajo që pashë në ndeshjen Skoci-Izrael ishte një sfidë shumë e fortë. U duk sikur Izraeli ishte Skocia kundër nesh. Kundërshtari ka një ekip të mirë dhe do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Ne do të provojmë të japim më të mirën tonë dhe të marrim maksimumin. Është një ndeshje e vështirë. Ne e dimë se kemi një kundërshtar të fortë përpara. Kanë shumë kualitet dhe cilësi në përbërje. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por do tentojmë që t’i ndalojmë. Do të tentojmë që të përsërisim suksesin që realizuam në vizitën e fundit të Shqipërisë në Izrael”, vijoi trajneri i Shqipërisë, Panucci, që në lidhje me Balliun deklaroi: “Klubi nuk e ka lejuar dhe kjo nuk është shumë profesionale nga ana e klubit. Është potencial për t’u thirrur nga Kombëtarja”. Një konferencë e teknikut të kuqezinjve, që është mbyllur me nota humori, teksa deklaroi: “Nesër do mësoni gjithçka. E vendos kapiteni skemën (qesh)”.

Exit mobile version