I kanë mjaftuar vetëm 4 ndeshje për të fituar zemrat e tifozëve të tij të rinj. Pasi shkëlqeu me Kolnin në fazën e parë të kampionatit, duke u përfshirë nga faqja zyrtare e Bundesligës në 11-shen më të mirë të pjesës së parë të sezonit, Mërgim Mavraj menjëherë ka marrë në dorë çelësat e mbrojtjes së Hamburgut. Në 2 ndeshjet e para të këtij viti, skuadra nga Veriu i Gjermanisë pësoi 2 humbje, ndaj Wolfsburgut dhe Ingolstadt-it, por jo për faj të Mavrajt, i cili në 2 takimet e fundit është shfaqur si një lider i vërtetë në prapavijën e Hamburgut, duke i dhënë qetësinë e nevojshme ekipit.
Trajneri Marcus Gisdol tashmë e ka të pamundur të privohet nga shërbimet e kuqeziut, i cili ishte një nga më të mirët në fushë për Hamburgun në suksesin që arriti ndaj Kolnit me shifrat 2-0 në raundin e 1/8-ave të Kupës së Gjermanisë. Fitorja ndaj Leverkusenit në kampionat u pasua nga një tjetër sukses shumë i rëndësishëm, me Hamburgun që nuk pësoi gol për të dytën ndeshje radhazi. Mavraj ia doli të triumfonte ndaj ish-skuadrës së tij dhe tashmë dëshira e mbrojtësit është të vazhdojë me këto ritme në mënyrë që të jetë në 100% të formës edhe për sfidën e muajit mars ndaj Italisë në Palermo.
Mediat gjermane e vlerësuan maksimalisht paraqitjen e shtatlartit shqiptar, i cili nga ndeshja në ndeshje po tregon se është një mbrojtës i jashtëzakonshëm. Paraqitjet e tij në fushë për pjesën e parë të sezonit i shijuan tifozët e Koln-it, ndërsa tashmë është radha e atyre të Hamburgut për t’iu gëzuar klasit të Mërgim Mavrajt.