Mërgim Mavraj në formacionin më të mirë të fazës së parë në Bundesligën gjermane. Ky sezon ka qenë me të vërtetë fantastik për mbrojtësin e kombëtares shqiptare, i cili pasi shkëlqeu me fanellën e Kolnit në 16 ndeshjet e para të kampionatit, në muajin janar bëri një hap të madh përpara në karrierë, duke u transferuar te Hamburgu, klubi i vetëm që nuk është rrëzuar asnjëherë nga kategoria në të gjithë historinë e futbollit gjerman. Tashmë, Mavraj është përfshirë në 11-shen më të mirë të fazës së parë nga sajti zyrtar i Bundesligës, duke u rreshtuar në prapavijë përkrah emrave të tillë si David Alaba, Sokratis Papasthopulos dhe Philip Lahm. 30-vjeçari shqiptar fitoi konkurencën për një vend në qendër të mbrojtjes me emra shumë të rëndësishëm si dyshja e Bayern-it dhe kombëtares gjermane, Mats Hummels dhe Jerome Boateng, lojtarin e Leipzigut, Willi Orban si dhe talentin e Realit të Madridit, Jesus Vallejo që luan si huazuar te Eintracht-i i Frankfurtit.
Përsa i përket qëndërmbrojtësave që kanë bërë më mirë në pjesën e parë të kampionatit gjerman, Mavraj ishte lojtari i dytë më i preferuar nga tifozët duke grumbulluar 26% të votave, vetëm 1% më pak se greku i Dortmundit, Sokratis që ishte më i votuari. Me 30 mijë e 452 vota në total, ish-lojtari i Kolnit la pas me rreth 500 vota, Mats Hummels-in. Në 11-shen më të mirë të fazës së parë në Bundesligë, në portë është vendosur Manuel Neuer, në mbrojtje Alaba, Sokratis, Mavraj dhe Lahm. Mesfusha përbëhet nga dy talentet e Borussias së Dortmundit, Pulisic dhe Dembele si dhe Thiago Alcantara i Bayernit, ndërsa në sulm Aubameyang-Lewandowski dhe Modeste e kanë merituar plotësisht falë golave që kanë realizuar të jenë pjesë e kësaj 11-sheje.