Ai nuk është vetëm një nga lojtarët më të rëndësishëm të kombëtares shqiptare, por është edhe një nga zbulimet më të bukura të këtij sezoni në Bundesligën gjermane. Mërgim Mavraj falë klasit, grintës dhe sigurisë që ka treguar në 10 javët e para të kampionatit është përfshirë në formacionin surprizë të këtij fillimsezoni. Faqja e specializuar “Bundesliga.com” e ka rreshtuar mbrojtësin shqiptar të Kolnit, në qendër të prapavijës përkrah Willy Orban të Leipzigut. Për meritë edhe të Mërgim Mavrajt, Kolni pozicionohet në vendin e 6-të në kuotën e 18 pikëve, teksa ka regjistruar 5 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje duke shënuar 16 gola dhe duke pësuar vetëm 7.
Mavraj është një lojtar i pazëvendësueshëm te Kolni për trajnerin Peter Stoger, i cili e ka aktivizuar kuqeziun në të 10-ta ndeshjet e këtij sezoni, me Mavrajn që përfshirë edhe shtesat numëron më shumë se 900 minuta në këmbë, pasi nuk është zëvendësuar asnjëherë. Në formacionin surprizë të 10 javëve të para të Bundesligës, në portë është vendosur Lukas Hradecky i Frankfurtit. Në mbrojtje përveç Mavrajt dhe Orban janë rreshtuar Marcel Schmelzer dhe Timothy Chandler nga krahët. Mesfusha përbëhet nga emra të tillë si Marco Fabian, Naby Keita, Joshua Kimich dhe Kerem Demirbay, ndërsa në sulm ata që kanë spikatur më shumë janë Anthony Modeste i Koln-it dhe Timo Werner i Leipzigut.