May: Britania do të jetë mikeshë e BE-së

Rreth gjysmë viti pas referendumit për Brexit-in, Theresa May flet për planet e saj për tërheqjen nga BE-ja.
Kryeministrja britanike, Theresa May sqaroi përpara kamerave në Londër pozicionin e qeverisë së saj në lidhje me Brexit-in. Britania e Madhe nuk do të dalë vetëm nga BE-ja, por edhe nga tregu i brendshëm evropian dhe nga Gjykata Evropiane. Në vend të tyre Britania e Madhe dëshiron të hyjë në bisedime për një marrëveshje të gjerë tregtie të lirë me BE-në.
Në luftën kundër krimit dhe terrorizmit Britania e Madhe do të vazhdojë të bashkëpunojë. Megjithatë May theksoi disa herë se, Britania e Madhe do ta kontrollojë emigracionin nga Evropa – një temë kjo që kishte përcaktuar debatet përpara referendumit për Brexit-in.
Qëllimi i May-t është që Britania e Madhe të mbetet “mikesha më e mirë dhe e afërt” i partnerëve europianë, por pa qenë pjesë e BE-së. Dhe që Britania të mund të bëhet tani një “komb i madh tregtar global”.

Jo konfrontim me Britaninë e Madhe
Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, tha se e përshëndet faktin që kryeministrja May sqaroi planet e qeverisë britanike dhe tha se edhe qeveria gjermane do të ketë mundësisht “marrëdhënie të mira, të ngushta dhe me besueshmëri”, por se bisedimet mund të fillojnë pasi Britania e Madhe të ketë shprehur zyrtarisht kërkesën për dalje nga BE-ja.
Kryetari i Komisionin të Bundestagut për Politikën e Jashtme, Norbert Röttgen (CDU), e këshilloi BE-në dhe qeverinë gjermane që mos mbajnë qëndrim konfrontues në negociatat për Brexit-in.
“Ne evropianët duhet të bëjmë të qartë se një partneritet të ngushtë me Britaninë është në interesin tonë. Ne nuk duhet të luajmë rolin e të ofenduarit dhe të kërkojmë nga britanikët për arsye taktike gjëra që ata nuk mund t’i plotësojnë”, tha Röttgen.
Si kancelarja gjermane, Angela Merkel edhe presidenti francez Hollande kanë bërë të qartë se në negociatat mes BE-së dhe Britanisë së Madhe për Brexit-in nuk do të jetë fjala për ndëshkimin e Britanisë së Madhe, por edhe se BE-ja nuk mund të pranojë që Britania e Madhe të nxjerrë vetëm përfitimet për veten e saj duke pranuar vetëm më të mirën.

Artikulli paraprakÇfarë pret BE-ja dhe Gjermania nga Trumpi
Artikulli tjetërMoska i kërkon ndjesë “Zërit të Amerikës”