Kalimi në tatim progresiv dhe heqja e taksave mbi biznesin e vogël e ka ulur efikasitetin e grumbullimit të të ardhurave për arkën publike analizon Fondi Monetar Ndërkombëtar në kuadër të rishikimit të gjashtë dhe të shtatë të programit trevjeçar me Shqipërinë.
Fondi vlerëson se, konsolidimi fiskal në Shqipëri po bëhet i vështirë për shkak të dizenjimit të dobët të sistemit fiskal. Ndërsa normat e taksave janë në nivele të njëjta ose më të larta se të vendeve fqinjë, nga ana tjetër Shqipëria ka një efikasitet fiskal më të ulët se këto vende.
Politikat e vitit 2014, të cilat bënë kalimin e tatimit mbi të ardhurat personale nga niveli i sheshtë në progresiv dhe përjashtimi më 2016 i të gjitha bizneseve të vogla nga taksat, shihet të kenë dhënë një kontribut të ulët në rendimentin e grumbullimit të taksave dhe kanë krijuar një mjedis të vështirë për biznesin analizon Fondi.
Në këtë kontekst, FMN ka orientuar qeverinë të rrisë efikasitetin e të ardhurave në miradministrimin e TVSH-së.
Sipas një shembulli që Fondi ka marrë për bazë llogaritje, Shqipëria humbet 34 deri 39 për qind e arkëtimeve të mundshme të TVSH-së, kur ky nivel në BE llogaritet rreth 15%.
Duke njohur këto sfida, qeveria nisi një përpjekje në shkallë të gjerë për të trajtuar evazionin fiskal, e cila solli formalizimin e konsiderueshëm të punonjësve dhe bizneseve të vogla.
Kohët e fundit, fushata ka ndryshuar fokusin për të synuar segmente me vlerë të lartë të biznesit dhe gjithashtu tatimet po shfrytëzojnë mjetet moderne të menaxhimit të rrezikut për të evidentuar shmangiet.
Kriza politike brenda mazhorancës dhe tensionet mes Partisë Socialiste e LSI-së kanë shqetësuar Fondin Monetar Ndërkombëtar. Në raportin e fundit mbi Shqipërinë, FMN e cilëson krisjen e koalicionit qeverisës si një nga dy rreziqet më të mëdha për ekonominë. “Me tensionet brenda mazhorancës qeverisëse dhe zërat për zgjedhje të parakohshme, tensionet politike dhe sociale mund të pengojnë zbatimin e reformave strukturore”, thotë FMN.
Sipas Fondit, kjo do të shkaktonte përkeqësimin e administrimit tatimor, duke çuar në rënien e të ardhurave, uljen e investimeve dhe akumulimin e borxheve të papaguara ndaj biznesit.
Paqëndrueshmëria e mazhorancës është një nga dy rreziqet për të cilat FMN mendon se do të kishin impakt të madh në ekonominë shqiptare. Rreziku i dytë është ai i rritjes së dobët në Eurozonë, veçanërisht në dy partnerët kryesor ekonomik të Shqipërisë, që janë Greqia dhe Italia.
“Rritja e dobët ekonomike në Itali dhe Greqi do të vazhdonte të ndikonte negativisht rritjen ekonomike të Shqipërisë. Nga ana tjetër, rritja stanjative e ekonomisë do të testonte vendosmërinë e qeverisë për të vazhduar me reformat dhe uljen e borxhit”, thotë FMN.
Ja risqet e tjera për ekonominë
Ekspertët e FMN-së kanë identifikuar në total 9 rreziqe si potenciale për ekonominë shqiptare. Në një matricë të posaçme brenda raportit, ata i kanë renditur këto rreziqe sipas probabilitetit që kanë për t’u materializuar, por edhe sipas impaktit që do të kishin në ekonomi.
Në kolonën e parë, FMN identifikon 4 rreziqe që kanë probabilitet të lartë për t’u materializuar. Ato janë, vazhdimi për një kohë të gjatë i çmimeve të ulëta të naftës dhe ngadalësimi i vendeve në zhvillim, forcimi i dollarit, largimi i një banke të huaj nga Shqipëria dhe fluksi i emigrantëve.
Por nga këto 4 rreziqe me mundësi të lartë ndodhje, sipas FMN, vetëm njëra do të kishte impakt mesatar në ekonomi. Ajo e çmimeve të ulëta të naftës dhe ngadalësimi i ekonomive në zhvillim, që sipas Fondit do të ulte më tej të ardhurat nga renta dhe do të dekurajonte më tej investimet në këtë sektor. Ndërsa tre rreziqet e tjerë edhe nëse realizohen do të kishin impakt të vogël në ekonomi.
Në kollonën e dytë janë listuar rreziqet me mundësi mesatare dhe të lartë ndodhje. Këtu hyn; rritja e dobët në ekonomitë partnere të Eurozonës, destabiliteti i brendshëm politik, kushtet e këqija të motit, një shpërthim i ri i krizës greke.
Në këtë kolonë, FMN thotë se janë dy rreziqe, që do të kishin pasoja të mëdha për ekonominë. Ato janë kriza e ekonomive partnere dhe përplasjet brenda koalicionit qeverisës, ndërsa rreziqet e tjera do të kishin pasoja të vogla. Në fund të tabelës, FMN indentifikon si rrezik edhe pamundësinë e qeverisë për të rinovuar borxhin publik. Por sipas ekspertëve të saj, ky rrezik ka një probabilitet të ulët ndodhjeje me pasoja potenciale të ulëta.